May 02, 2024 11:04 Europe/Tirane
  • Arrestohen më shumë se 1300 studentë pro-palestinezë në Amerikë

Ndërkohë që protestat e studentëve pro-palestinezë vazhdojnë në universitetet anembanë Amerikës, forcat e policisë së Nju Jorkut kanë arrestuar të paktën 1300 studentë pro-palestinezë për të shtypur këtë valë mbështetjeje për Gazën.

Sipas gazetës "The Guardian", protestat e studentëve në Amerikë janë përhapur për shkak të sulmeve të Izraelit në Gaza dhe kanë arritur në më shumë se 30 universitete deri të mërkurën.

Protestuesit nëpër kampuset e universiteteve amerikane po bëjnë kryesisht thirrje për një armëpushim të plotë në Gaza. Pas sulmit ndaj studentëve në universitetet e Nju Jorkut, veçanërisht në Universitetin e Kolumbias, dhe trajtimit të dhunshëm të studentëve pro-palestinezë dhe anti-izraelitë, shefi i policisë së Nju Jorkut njoftoi: "Rreth 300 persona janë arrestuar në Universitetin e Kolumbias dhe Universitetin City College të Nju Jorkut".

Studentë dhe profesorë të Universitetit të Kolumbias në Nju Jork, duke mbajtur pankarta në duar dhe duke brohoritur parulla, dënuan veprimet e policisë amerikane në përballjen e dhunshme me studentët dhe arrestimin e një numri të madh të tyre.

Studentët që mbështesin Palestinën dhe kundërshtojnë luftën në Gaza u mblodhën gjithashtu dhe kampuan në universitetet "George Washington" dhe "Tulane" në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Policia amerikane i hoqi tendat e studentëve dhe i dëboi me forcë nga kampusi i Universitetit Tulane dhe arrestoi rreth 20 studentë.

Në dy javët e fundit është shtuar zemërimi i studentëve amerikanë ndaj krimeve të regjimit sionist në Gaza dhe janë zgjeruar tubimet dhe protestat në Amerikë.