Turqia konfirmoi zyrtarisht pezullimin e tregtisë me Izraelin
Ministria turke e Tregtisë në një deklaratë njoftoi se që nga e enjtja ka ndaluar eksportin dhe importin nga Palestina e pushtuar.
Më herët, kanali i lajmeve Bloomberg të enjten raportoi se Turqia ka pezulluar të gjitha marrëdhëniet e saj tregtare me Izraelin. Sipas këtij raporti, Turqia ka ndaluar edhe përdorimin e porteve turke nga vendet e treta për tregti me Izraelin. Në një zhvillim të veçantë, Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Kats tha se Ankaraja gjithashtu ka ndaluar importin dhe eksportin e mallrave izraelite në portet turke. Duke akuzuar Turqinë për shkeljen e marrëveshjeve tregtare, Kats tha se kishte udhëzuar ministrinë e jashtme të Izraelit të kërkonte alternativa që të zëvendësonte tregtinë me Turqinë duke u fokusuar në "prodhimin vendas dhe importet nga vendet e tjera". Deri më tani, Ministria e Jashtme e Izraelit nuk ka komentuar se cilat porte janë ndaluar dhe nëse veprimi i Turqisë përfshin apo jo portin mesdhetar “Cejhan”. Ky port është i rëndësishëm sepse Izraeli përmes tij importon naftë nga Republika e Azerbajxhanit. Analistët e interpretuan masën si një hap rreth presionit të brendshëm për të ndërprerë lidhjet tregtare me Izraelin në mes të luftës së Gazës. Të mërkurën, ministri i jashtëm turk Hakan Fidan njoftoi se vendi i tij planifikon t'i bashkohet ankesës së Afrikës së Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Afrika e Jugut në këtë gjykatë ka akuzuar Izraelin për gjenocid në Gaza.