"Cunam" diplomatik në Izrael
Duke vënë në dukje se regjimi sionist është përballur me një "cunam diplomatik" në disa fronte, gazeta "The Guardian" shkroi se zgjerimi i luftës në Gaza dhe rritja e paprecedentë e dhunës së kolonëve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor kanë shkaktuar izolimin e këtij regjimi.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve ISNA, pavarësisht dënimeve ndërkombëtare dhe rajonale, regjimi sionist vazhdon të pushtojë Gazën në ditën e 218-të të luftës. Me pushtimin e vendkalimit të Rafahut, ushtria sioniste mbylli pikëkalimin kryesor tokësor në Rripin e Gazës, përmes të cilit hyjnë ndihmat në këtë brez; një veprim që mbart rrezikun e përkeqësimit të katastrofës humanitare, sidomos për shkak të mungesës së ushqimeve dhe karburantit.
Gazeta "The Guardian" shkruan në një raport: “Mes sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane kundër kolonëve, të cilët kanë zgjeruar dhunën e tyre kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor, më shumë objektiva të mundshëm ka të ngjarë të merren në konsideratë nga këto vende”.
Deri më tani, këto sanksione kanë vënë në shënjestër individë dhe institucione ekstremiste, si dhe mikun dhe këshilltarin e Itamar Ben-Gvir, ministrit të Sigurisë së Brendshme të regjimit sionist. Në të njëjtën kohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se do të ndalojnë dërgimin e municioneve të rënda për këtë regjim për shkak të mundësisë së një sulmi tokësor të regjimit sionist në Rafah, Irlanda dhe Spanja gjithashtu thanë se janë të përkushtuara për njohjen e shtetit të Palestinës.
Gazeta "The Guardian" gjithashtu thekson se presioni në Evropë për të “ndaluar tregtinë e produkteve të prodhuara në kolonitë izraelite” po rritet gjithashtu.
Kryeministri belg Alexandre De Croo – i cili mban presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian – tha kohët e fundit se ai po kërkon aleatë me të njëjtin mendim për të vendosur sanksione tregtare kundër regjimit izraelit për veprimet e tij në Rripin e Gazës.
Turqia, nga ana e saj, e cila prej kohësh ka marrëdhënie të ndërlikuara me regjimin sionist, ka shpallur ndalimin e plotë të tregtisë me këtë regjim.
Duke iu referuar izolimit të Izraelit, "The Guardian" thekson se në Amerikën e Jugut, vende si Kolumbia dhe Bolivia gjithashtu kanë ndërprerë apo ulur ndjeshëm marrëdhëniet e tyre diplomatike me regjimin sionist.
Krahas këtyre rasteve, regjimi sionist është nën hetim nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve dhe sipas asaj që raportohet, kjo gjykatë po shqyrton lëshimin e një urdhër-arresti për zyrtarë të lartë sionistë.
Një “cunam diplomatik” kundër regjimit sionist po e kërcënon shumë këtë regjim dhe sipas gazetës "The Guardian", ky paralajmërim dhe ky term është përdorur për herë të parë nga ish-kryeministri i regjimit sionist, Ehud Barak, kur ishte ministër i luftës në kabinetin e Netanyahut.