Gjermania do të kthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak
Të rinjtë që lënë shkollën në Gjermani shpejt mund të rekrutohen si ushtarë, sipas një ideje të re të qeverisë që kërkon të shtojë numrin e ushtarakëve prej frikës së një agresioni të mundshëm nga Rusia.
Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius, tha se do të kërkojnë rikthimin e rekrutimit të 18-vjeçarëve, i cili ishte ndaluar në vitin 2011.
Ushtria gjermane tha se kërkon të mbushë 21,000 vende të lira ushtarësh, për të ruajtur kriteret e caktuara nga NATO.
Zyrtarët gjermanë thanë se po diskutojnë tre opsione, sipas dokumenteve të publikuara nga e përditshmja gjermane Die Welt.
Një prej tyre është shërbimi i detyrueshëm ushtarak për djemtë apo vajzat që mbushin 18 vjeç dhe nuk janë në institucione arsimi.
Sipas planit të gjithë 18 vjeçarët duhet të mbushin formularët dhe të kryejnë testime. Femrat mund të zgjedhin nëse të kontaktohen apo jo nga ushtria.
Pistorius tha se ‘ishte i bindur’ se Gjermania ka nevojë për ‘një lloj rekrutimi’.
Qëndrimi i tij kundërshtohet ashpër nga opozita CDU, e cila ishte në pushtet gjatë heqjes së shërbimit ushtarak.