BE i bën thirrje Izraelit të ndërpresë operacionin në Rafah
Bashkimi Europian i bëri thirrje Izraelit që të ndërpresë menjëherë operacionin ushtarak në Rafah, qytet në jug të Gazës, duke thënë se operacioni po pengon shpërndarjen e ndihmës humanitare, po shkakton më shumë uri, vuajtje njerëzore dhe po detyron më shumë banorë që të zhvendosen.
Deklarata e Shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian Josep Borrel vë në dukje të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, por po ashtu thekson se Izraeli duhet të zbatojë ligjet ndërkombëtare dhe të mbrojë civilët.
“Bashkimi Europian i bën thirrje Izraelit të tregojë vetëpërmbajtje për të mos e përkeqësuar gjendjen e rëndë humanitare në Gaza dhe të hapë sërish pikat e kalimit kufitar të Rafahut”, tha Borrel. “Vazhdimi i operacionit ushtarak në Rafah do të çonte në mënyrë të pashmangshme në një tendosje të madhe marrëdhënieve mes Bashkimit Europian dhe Izraelit”, thuhej në njoftim.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha të martën se ishte i zhgënjyer nga përshkallëzimi i operacionit ushtarak në dhe përreth Rafahut nga izraelitët, pasi afro 450 mijë palestinezë janë zhvendosur me forcë nga rajoni përgjatë javës së shkuar.