May 22, 2024 10:57 Europe/Tirane
  • Sot Irlanda dhe Spanja njohin shtetin e Palestinës

Dy vende evropiane, Spanja dhe Irlanda, do ta njohin zyrtarisht sot (të mërkurën) shtetin e Palestinës.

Gazeta angleze "The Guardian" raportoi se Spanja dhe Irlanda pritet që të mërkurën të njohin zyrtarisht shtetin e pavarur të Palestinës, në kundërshtim me kërcënimet e regjimit sionist.

"The Guardian" shkroi se tre zyrtarë të lartë të qeverisë irlandeze, përfshirë kryeministrin Simon Harris, do ta shpallin këtë vendim në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Kjo gazetë raportoi gjithashtu se kryeministri spanjoll Pedro Sanchez do të shpallë sot datën në të cilën Madridi do të njohë shtetin e Palestinës.

Ky veprim vjen pas sulmeve shtatëmujore të regjimit sionist në Gaza, në të cilat më shumë se 35,000 njerëz janë martirizuar, pas kërkesave globale për armëpushim, si dhe pas hapit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të lëshuar urdhër-arreste për liderët izraelitë.

Shtetet evropiane të Irlandës, Spanjës, Sllovenisë dhe Maltës kanë njoftuar javët e fundit se synojnë të njohin shtetin e Palestinës. Ata kanë thënë se është e nevojshme një zgjidhje me dy shtete për të krijuar paqe të qëndrueshme në rajon.

Sigurisht, ky veprim i evropianëve u shoqërua me zemërimin e ministrit të Jashtëm izraelit, Israel Katz dhe ai pretendoi se ky veprim do të shkaktonte “paqëndrueshmëri” në rajon.

Që nga viti 1988, nga 193 anëtarë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 139 e kanë njohur Shtetin e Palestinës.

 

Tags