Italia dërgon një sistem të mbrojtjes ajrore në Ukrainë
(last modified Tue, 04 Jun 2024 07:39:43 GMT )
Qershor 04, 2024 09:39 Europe/Tirane
  • Italia dërgon një sistem të mbrojtjes ajrore në Ukrainë

Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani njoftoi se Roma do të dërgojë në Ukrainë një sistem të mbrojtjes ajrore SAMP/T.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, sistemi SAMP/T, i njohur edhe si “Mamba”, është prodhim i përbashkët i Italisë dhe i Francës, i cili mund të godasë njëkohësisht dhjetëra objektiva dhe të perceptojë 10 raketa në të njëjtën kohë.

Franca dhe Italia e dorëzuan sistemin e parë SAMP/T në Ukrainë në vitin 2023. Por në muajt e fundit, Kievi ka kërkuar sërish që të marrë sisteme të mbrojtjes ajrore.

Italia ka ofruar tetë pako mbështetëse për Ukrainën që nga fillimi i sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Tajani tha se është në përgatitje e sipër edhe pakoja e nëntë dhe pjesë e saj është edhe "Mamba". Ai nuk ka përmendur kohën e prezantimit të saj.

Qeveria italiane nuk ka bërë ende të ditur detajet e asnjë prej paketave të saj të ndihmës për Ukrainën.

"Italia ka të ngjarë të dërgojë në Ukrainë një sistem SAMP/T, që aktualisht është vendosur në Kuvajt", i tha agjencisë Reuters një burim i informuar me këtë çështje.

Gazeta "Corriere della Sera" shkroi të hënën se pritet që qeveria e Romës të japë dritën jeshile për dërgimin e një pakete të re ndihme në Ukrainë pas takimit të liderëve të G7-ës të organizuar nga Italia, që do të mbahet javën e ardhshme.

Ministrat e Jashtëm të Grupit G7 në muajin prill premtuan t'i ofrojnë Ukrainës më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore.

 

Tags