Përfaqësuesit e Kongresit Amerikan: "Mos hyni në luftë me Iranin!"
(last modified Mon, 05 Aug 2024 09:45:32 GMT )
Gusht 05, 2024 11:45 Europe/Tirane
  • Përfaqësuesit e Kongresit Amerikan:

Në mes të shqetësimeve në rritje për një luftë rajonale në Lindjen e Mesme, dy përfaqësues demokratë të Kongresit Amerikan paralajmëruan kundër hyrjes së Uashingtonit në një konflikt të armatosur me Iranin.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, Ro Khanna, përfaqësuesi demokrat i Kalifornisë, në përgjigje të senatorit Lindsey Graham, i cili paraqiti një projektligj për përdorimin e forcave të armatosura amerikane kundër Iranit, shkroi në rrjetet sociale: “Amerika nuk duhet të hyjë në luftë me Iranin."

Ai shtoi: "Lufta në Irak ishte gabimi më i madh i Amerikës në shekullin e 21-të. Çdo kandidat që merr pjesë në zgjedhje duhet të qartësojë qëndrimin e tij në këtë drejtim."

Mark Pocan, një tjetër përfaqësues demokrat i Kongresit Amerikan, më herët të dielën tha: "Unë jam dakord me kongresmenin Ro Khanna. Nuk duhet të ketë luftë me Iranin! Le të biem dakord të gjithë për këtë."

Hassan al-Tayyeb, drejtor legjislativ për politikën e Lindjes së Mesme në Komitetin e Miqve për Legjislacionin Kombëtar, i kërkoi Khanna-s të prezantojë projektligjin e kompetencave të luftës, duke argumentuar se "ne mund të përdorim vërtet një mjet të qartë si ky projektligj për të parandaluar ndërhyrjen ushtarake amerikane në një luftë katastrofike me Iranin”.

Ndërkohë, sipas Euronews, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatiten që përkrah Izraelit, t'i përgjigjen reagimit të mundshëm të Iranit për vrasjen e Ismail Hanijes.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka konfirmuar se SHBA-ja ka dislokuar kryqëzorë dhe shkatërrues të Forcave të Marinës, të aftë për të rrëzuar raketa balistike në Lindjen e Mesme dhe Evropë.

Pentagoni njoftoi gjithashtu në një deklaratë se po dërgon një skuadron shtesë avionësh luftarakë në Lindjen e Mesme për të mbrojtur Izraelin.