Moska: Ukraina planifikon të sulmojë centralin bërthamor të Kurskut
(last modified Sat, 17 Aug 2024 18:51:14 GMT )
Gusht 17, 2024 20:51 Europe/Tirane
  • Moska: Ukraina planifikon të sulmojë centralin bërthamor të Kurskut

Moska deklaroi se Kievi po planifikon të sulmojë një termocentral të madh bërthamor në rajonin kufitar të Kurskut, duke paralajmëruar se në rast të një sulmi të tillë, një zonë e madhe përreth do të kontaminohej.

Të shtunën, Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë se Ukraina po planifikonte të sulmonte termocentralin bërthamor në Kursk dhe të fajësonte Moskën për një "provokim" të tillë, njoftoi agjencia e lajmeve Interfax.

Ministria paralajmëroi se forcat ruse do të përgjigjen ashpër në rast të një sulmi të tillë që sipas saj, do të kontaminonte një zonë të madhe përreth.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë të veçantë të shtunën se forcat ruse kishin zmbrapsur forcat ukrainase “në drejtim të vendbanimeve Korenevo, Russkoye dhe Cherkasskoye Porechnoye”, në rajonin e Kurskut.

Të premten, Rafael Grossi, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, u bëri thirrje të dyja palëve të përdorin "përmbajtjen maksimale për të shmangur një aksident bërthamor".

Stacioni i energjisë atomike në Kursk - një nga tre termocentralet më të mëdha bërthamore në Rusi - ka gjashtë njësi reaktorësh. Dy njësi janë mbyllur, dy janë në ndërtim dhe dy janë plotësisht funksionale.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, megjithatë, tha të shtunën se forcat e tij po forconin pozicionet e tyre në rajonin e Kurskut.

 

Tags