Borrell mbështet sulmin e Ukrainës ndaj Kurskut
(last modified Thu, 22 Aug 2024 06:43:30 GMT )
Gusht 22, 2024 08:43 Europe/Tirane
  • Borrell mbështet sulmin e Ukrainës ndaj Kurskut

Në një bisedë telefonike me Ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba, shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell shprehu mbështetjen e tij për pushtimin e Kievit në rajonin e Kurskut të Rusisë dhe i kërkoi atij të marrë pjesë në takimin jozyrtar të ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes të BE-së që do të mbahet në Bruksel më 29 dhe 30 gusht.

Sipas agjencisë së lajmeve TASS, kreu i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian në një mesazh në llogarinë e tij në rrjetin social X (ish-Twitter), shkroi: Siç i thashë ministrit të jashtëm të Ukrainës, Bashkimi Evropian përkrah plotësisht luftën e Ukrainës kundër Rusisë.

Borrell vazhdoi duke theksuar se sulmi i Ukrainës në rajonin e Kurskut është një goditje e rëndë për narrativën e presidentit rus Vladimir Putin për luftën midis Moskës dhe Kievit dhe theksoi: Mezi pres të takoj ministrin Kuleba në takimin jozyrtar të ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes të BE-së që do të mbahet në Bruksel për të diskutuar dhe shkëmbyer mendime së bashku në mbështetje të sulmit të Ukrainës kundër Rusisë.

Ndërkohë, Kremlini beson se luftimet për ta zmbrapsur inkursionin e Ukrainës në rajonin Kursk të Rusisë do të zgjasin me muaj, dhe është duke tentuar ta përgatitë popullin për këtë “normalitet të ri”, thanë burime të afërta me administratën e presidencës ruse.

Rusia është duke e luftuar një inkursion tashmë dyjavor të Ukrainës në rajonin e saj kufitar, ku forcat e Kievit i kanë marrë nën kontroll 92 vendbanime dhe më shumë se 1.260 metra katrorë territor.

Udhëheqësit e Ukrainës kanë sqaruar vazhdimisht se vendimi i tyre për t’u futur në Kursk ka për qëllim krijimin e një zone të sigurisë brenda Rusisë, për t’i mbrojtur qytetet ukrainase nga bombardimet ruse nga matanë kufirit.

 

Tags