Shqetësime mbi sigurinë e centralit bërthamor të Zaporizhias
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore njoftoi rreth mesit të muajit gusht se përfaqësuesit e saj kishin inspektuar një kullë ftohëse të dëmtuar në centralin bërthamor të Zaporizhias në Ukrainë, që kontrollohet nga forcat ruse.
Një zjarr që shpërtheu në një nga kullat ftohëse të centralit bërthamor të Zaporizhias më 11 gusht nuk ndikoi në situatën e rrezatimit në Ukrainë, sipas një raporti të publikuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthmore (IAEA).
Megjithatë, dëmtimi i saj ka nxitur shqetësim të madh mes ekspertëve bërthamorë.
Autoritetet ukrainase thanë se zjarri ka qenë ose një provokim, ose një neglizhencë nga ana e trupave ruse që kontrollojnë centralin.
Rusia, nga ana tjetër, fajësoi forcat ukrainase ndërsa thekson se puna vijon normalisht.
Ekspertët thonë se forcat ruse kanë larguar punëtorët ukrainas më me përvojë nga uzina dhe nuk po arrijnë të mirëmbajnë siç duhet objektet e saj, pasi tonelatat e karburantit bërthamor të përdorur kanë nevojë për ftohje të vazhdueshme.
Sipas ekspertëve, centrali bërthamor i Zaporizhias po shndërrohet në një bazë ushtarake dhe puna që duhet të kryhet në të, po neglizhohet.