Rusia: Do ta ndryshojmë doktrinën bërthamore për shkak të Perëndimit
(last modified Sun, 01 Sep 2024 17:56:11 GMT )
Shtator 01, 2024 19:56 Europe/Tirane
  • Rusia: Do ta ndryshojmë doktrinën bërthamore për shkak të Perëndimit

Rusia do të bëjë ndryshime në doktrinën e saj bërthamore në përgjigje të veprimeve të Perëndimit sa i përket luftës në Ukrainë, tha zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, i cituar nga agjencia ruse e lajmeve, TASS.

“Puna është në një fazë të avancuar dhe ka qëllim të qartë për të bërë përmirësime”, citohet të ketë thënë Ryabkov.

Sipas tij, vendimi për ndryshime në doktrinën bërthamore “lidhet me kursin përshkallëzues të armiqve tanë perëndimorë” sa i përket luftës në Ukrainë.

Ryabkov nuk tha se për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë.

Doktrina aktuale bërthamore e Rusisë, që është përcaktuar në vitin 2020 përmes një dekreti të presidentit rus, Vladimir Putin, thotë se Rusia mund të përdorë armë bërthamore në rast të një sulmi bërthamor nga ndonjë armik apo ndonjë sulmi konvencional që kërcënon ekzistencën e shtetit rus.

 

Tags