Rusia sulmon ashpër Ukrainën/ 51 viktima
(last modified Tue, 03 Sep 2024 17:55:00 GMT )
Shtator 03, 2024 19:55 Europe/Tirane
  • Rusia sulmon ashpër Ukrainën/ 51 viktima

Forcat ruse kanë kryer një ndër sulmet më të përgjakshme në qytetin Poltava në lindje të Ukrainës, duke goditur me raketa balistike një spital dhe një shkollë.

Sipas të dhënave të bëra publike nga presidenti i Ukrainës Zelensky, të paktën 51 persona mes të cilëve ushtarë dhe civilë humbën jetën dhe rreth 200 të tjerë u plagosën.

“Rusia do të paguajë për këtë. Ukraina ka nevojë për sisteme të mbrojtjes raketore, sepse duhet të mbrohemi nga terrori rus”, deklaroi presidenti Zelensky në një videomesazh të publikuar rrjetet sociale.

Raketat ruse goditën menjëherë pasi ranë sirenat që njoftojnë për sulme ajrore, dhe shumë njerëz nuk arritën të hynin në vendstrehime për t’u mbrojtur nga bombardimet.

Ekipet e kërkim-shpëtimit arritën të shpëtonin 25 persona, 11 prej të cilëve u nxorën nga rrënojat, por dhjetëra të tjerë u gjetën të pajetë. Guvernatori i qytetit bëri të ditur se në Poltava do të mbahen tre ditë zie për viktimat e sulmit.

Poltava ndodhet rreth 110 kilometra nga kufiri me Rusinë dhe rreth 350 kilometra në juglindje të Kievit.

Ndërkohë, pas operacionit të dështuar të Kievit në Kursk muajin e kaluar, trupat ruse kanë fituar vrull duke sulmuar njëkohësisht forcat ukrainase nga të dyja anët.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha të martën se trupat e saj kishin çliruar dy vendbanime të tjera në rajonin e Donetskut, duke përfshirë Ptyche, vetëm 21 km në juglindje të qytetit Pokrovsk, dhe "po vazhdonin të avanconin thellë në mbrojtjen e armikut".

Raportet e mëparshme thanë se trupat ruse po i dëbonin gjithashtu trupat ukrainase nga qyteti Kursk.

 

Tags