Kievi kërkon leje për të përdorur raketat kundër Rusisë
(last modified Wed, 11 Sep 2024 18:42:10 GMT )
Shtator 11, 2024 20:42 Europe/Tirane
  • Kievi kërkon leje për të përdorur raketat kundër Rusisë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, kanë mbërritur në Kiev për një vizitë të përbashkët, ndërsa Ukraina vazhdon të bëjë presion për të drejtën e përdorimit të raketave amerikane dhe britanike me rreze të gjatë veprimi kundër Rusisë.

Të dy ata udhëtuan së bashku në kryeqytetin ukrainas pas bisedimeve në Londër. Ata do të takohen me Presidentin Volodymr Zelensky, i cili vazhdimisht i ka bërë thirrje Uashingtonit që të lirojë kufijtë për armët e furnizuara nga SHBA.

Blinken tha se një nga qëllimet e tyre ishte të dëgjonin drejtpërdrejt nga udhëheqja ukrainase për objektivat e tyre dhe çfarë mund të bëjnë për të mbështetur nevojat e Kievit.

Për momentin, SHBA dhe Britania e Madhe nuk i kanë dhënë Ukrainës leje për të përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave brenda Rusisë nga frika e përshkallëzimit të luftës.

Por udhëheqësit ukrainas thonë se u duhen raketat për të shënjestruar bazat ajrore të përdorura nga avionët luftarakë rusë që lëshojnë bomba shkatërruese kundër Ukrainës.

Kremlini tha të mërkurën se Rusia do të përgjigjej në mënyrë të duhur nëse SHBA do të lejonte sulmet ukrainase me raketa amerikane në territorin rus.

 

Tags