NATO: Ukraina ka të drejtë të godasë thellë brenda Rusisë
(last modified Sun, 15 Sep 2024 19:02:40 GMT )
Shtator 15, 2024 21:02 Europe/Tirane
  • NATO: Ukraina ka të drejtë të godasë thellë brenda Rusisë

Ukraina ka të drejtën ligjore dhe ushtarake për të goditur thellë brenda Rusisë për të fituar avantazhe luftarake, ka deklaruar kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Rob Bauer.

“Çdo komb që sulmohet ka të drejtë të mbrohet. Dhe kjo e drejtë nuk ndalet në kufirin e kombit tuaj”, tha Bauer, i cili shërben si këshilltari kryesor i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, duke folur në mbyllje të takimit vjetor të komitetit.

“Kombet kanë të drejtën sovrane për të vendosur kufizime në armët që dërgojnë në Ukrainë”, shtoi ai.

Ndërkohë, Karel Rehka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Çeke, tha se kombi i tij nuk vendos kufizime të tilla armësh për Kievin.

“Ne besojmë se ukrainasit duhet të vendosin vetë se si t'i përdorin armët”, tha Rehka.

Por, ai gjithashtu vuri në dukje rreziqet politike dhe potencialin e përshkallëzimit duke thënë: “Është e rëndësishme të merret parasysh çdo aspekt, duke përfshirë potencialin e përshkallëzimit dhe gjëra të tjera”.

Komentet e tyre erdhën ndërsa presidenti i SHBA-së, Joe Biden po peshon nëse do të lejojë Ukrainën të përdorë armë me rreze të gjatë të siguruara nga SHBA-ja për të goditur thellë në Rusi.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Kievi për Perëndimin për ta lejuar atë të godasë më thellë në Rusi, liderët perëndimorë duken ende në mëdyshje.

 

Tags