Tetor 05, 2024 20:54 Europe/Tirane
  • Harris dhe Trump në garë të ngushtë

Vetëm një muaj na ndan nga zgjedhjet e bujshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa pritet përballja kokë më kokë e demokrates Kamala Harris dhe republikanit Donald Trump.

5 nëntori 2024 do të sjellë një drejtues të ri në Shtëpinë e Bardhë, me Harris e cila nëse zgjidhet do të shënohet në histori, si presidentja e parë grua në SHBA, ndërsa Trump do të rikthehet në karrigen që drejtonte dikur.

Fushata intensive do të vijojë edhe këtë muaj, ku rivalët Donald Trump dhe Kamala Harris po përpiqen në muajin e fundit të fushatave të tyre që të fitojnë terren në komunitetet ku mund të kenë mbështetje më të vogël.

Sondazhet tregojnë se nënpresidentja Harris, e cila pasoi Joe Biden pas tërheqjes së bujshme nga gara, gëzon mbështetje më të madhe mes votueseve gra.

Gjatë një tubimi në Karolinën e Veriut, Trump u zotua t’i mbronte gratë, për të cilat tha se janë më të varfra, me më shumë probleme shëndetësore dhe më pak të sigurta sesa kur ai ishte president.

Qasja ndaj abortit është një nga arsyet se pse Trump renditet pas demokrates Harris mes votueseve gra, kjo e fundit ka shprehur se ndalimi i abortit kufizon të drejtat e grave.

Por nga ana tjetër, republikani Trump kryeson mes votuesve burra.

Ekonomia vazhdon të jetë çështja kryesore për shumicën e votuesve. Trump thotë se do të tërheqë investime të huaja dhe do të hapë më shumë vende pune. Harris po premton një ndihmë prej 25 mijë dollarësh për blerësit e rinj të shtëpive.

Ndërsa shumica e shteteve janë të vendosura se për kë do të votojnë, mendohet që fituesi i zgjedhjeve të përcaktohet nga shtetet fushëbetejë si Miçigani, Uiskonsin, Pensilvania, Xhorxhia, Karolina e Veriut dhe Arizonën.

 

Tags