Spanja i kërkon BE-së të pezullojë marrëveshjen tregtare me Izraelin
(last modified Mon, 14 Oct 2024 18:55:49 GMT )
Tetor 14, 2024 20:55 Europe/Tirane
  • Spanja i kërkon BE-së të pezullojë marrëveshjen tregtare me Izraelin

Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez u ka kërkuar anëtarëve të Bashkimit Europian që t’i përgjigjen kërkesave te Madridit dhe Dublinit dhe të pezullojnë marrëveshjen e tregtisë së lirë me Izraelin për shkak të krimeve të tij në Gaza e Liban.

Për muaj me radhë, Spanja dhe Irlanda kanë qenë në bisedime me vendet e tjera të BE-së për rishikimin e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael me arsyetimin se regjimi izraelit ka shkelur klauzolën e të drejtave të njeriut në këtë marrëveshje.

Ministri i Jashtëm irlandez Micheal Martin e ka akuzuar Tel Avivin se po përpiqet ta ndalojë botën që të shohë se çfarë po bëjnë realisht trupat e tij në Liban dhe Gaza.

I pyetur se përse Izraeli po kërkon që  paqeruajtësit e OKB-së të largohen nga bazat e tyre në kufirin e tij me Libanin,  Martin tha se në thelb “kjo synon që të mbyllen sytë dhe veshët e botës nga Libani i Jugut dhe ai në këtë mënyrë, t`i japë vetes dorë të lirë në rajon”.

Kryeministri spanjoll Sanchez e dënoi këtë kërkesë të Benjamin Netanyahut dhe tha se paqeruajtësit nuk kanë për të lëvizur nga jugu i Libanit.

Nuk do të ketë tërheqje të UNIFIL-it nga Libani, sepse ne kemi angazhimin tonë ndaj ligjshmërisë ndërkombëtare mbi parimet e Rezolutës 1701, dhe sot, pasi kemi parë se çfarë po ndodh në terren, ajo merr më shumë kuptim se kurrë”, tha Kryeministri spanjoll.

Forcat UNIFIL janë sulmuar në mënyrë të përsëritur nga Izraeli gjatë javës së fundit, shtoi Sanchez.

Netanyahu, i ka bërë thirrje shefit të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, të dielën që t’i largojë paqeruajtësit e angazhuar në jug të Libanit, me pretendimin se Hezbollahu po i shfrytëzon si “mburoja njerëzore”.

 

Tags