Rusia i kthen Ukrainës trupat e 501 ushtarëve të vrarë
(last modified 2024-10-19T18:04:33+00:00 )
Tetor 19, 2024 20:04 Europe/Tirane
  • Rusia i kthen Ukrainës trupat e 501 ushtarëve të vrarë

Rusia i ktheu Ukrainës trupat e 501 ushtarëve të vrarë, thanë autoritetet ukrainase. Ky veprim dukej se ishte riatdhesimi më i madh i të vdekurve të luftës që nga fillimi i sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Shumica e ushtarëve u vranë në luftimet në rajonin lindor të Donetskut, rreth qytetit të Avdivkës. Pas një beteje të gjatë dhe rraskapitëse, forcat ruse pushtuan qytetin në shkurt, tha në një deklaratë Shtabi Koordinues i Ukrainës për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës.

Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe ekspertët e mjekësisë ligjore do të identifikojnë viktimat, thanë autoritetet ukrainase. Trupat më pas do t’u kthehen familjarëve për varrim.

Riatdhesimi erdhi dy ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy prezantoi “planin e tij të fitores” para udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe ministrave të mbrojtjes të NATO-s. Aleatët perëndimorë të Ukrainës po i japin asaj mbështetje ushtarake, por një pjesë e saj mund të bëhet objekt rishqyrtimi pas zgjedhjeve presidenciale të muajit të ardhshëm në Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa aleatët dhe udhëheqja e NATO-s këmbëngulin se e ardhmja e Ukrainës është në NATO, një ftesë zyrtare për t’u bërë anëtare e aleancës nuk është bërë ende.

Aleatët e NATO-s kanë thënë se Kievi nuk mund të bëhet anëtar ndërsa është në luftë dhe aleanca është përqendruar në ofrimin e mbështetjes që i nevojitet ushtrisë ukrainase për të fituar luftën.

 

Tags