Rusia sulmon infrastrukturën energjetike në Ukrainë
(last modified 2024-10-20T18:49:44+00:00 )
Tetor 20, 2024 20:49 Europe/Tirane
  • Rusia sulmon infrastrukturën energjetike në Ukrainë

Ushtria e Rusisë kreu edhe një valë sulmesh raketore dhe me dronë nëpër Ukrainë, thanë zyrtarët ukrainas të dielën. Në shënjestër të sulmeve ishte infrastruktura energjetike e vendit, ndërsa u raportua edhe për të plagosur nga sulme të tjera.

17 njerëz u plagosën pasi ushtria ruse hodhi raketa balistike në Krivi Rih, në jug të rajonin Dnipropetrovsk. Tetë nga të plagosurit u shtruan në spital, tha Oleksandr Vilkul, kryetar i këshillit të mbrojtjes së Krivi Rih.

Pesëmbëdhjetë ndërtesa banimi, disa institucione arsimore dhe ndërtesa administrative, u dëmtuan në qytetin rreth 400 kilometra në juglindje të Kievit.

Në qytetin lindor Harkiv, një distrikt u godit nga një raketë Grom-EI, njoftoi zyra e prokurorit rajonal.

Rusia gjithashtu sulmoi një objekt energjitik në rajonin verilindor të Sumit.

“Si pasojë, më shumë se 37.000 konsumatorë në rajonin Romni kanë mbetur përkohësisht pa furnizim me energji elektrike”, thuhet në njoftim.

Kievi po përgatitet për dimrin më të vështirë të luftës deri tani, pasi Moska ia ka shkatërruar pjesën më të madhe të kapacitetit prodhues të energjisë dhe vazhdon të godasë objektet energjetike.

Sipas Ministrisë së Energjisë, Rusia ka kryer më shumë se 1.000 sulme në objektet e infrastrukturës energjetike të Ukrainës prej tetorit të vitit 2022.

 

Tags