SHBA jep ndihmë të re ushtarake për Ukrainën
(last modified 2024-10-21T19:17:44+00:00 )
Tetor 21, 2024 21:17 Europe/Tirane
  • SHBA jep ndihmë të re ushtarake për Ukrainën

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin njoftoi të hënën në Kiev për një ndihmë të re në armatime me vlerë prej 400 milionë dollarësh për Ukrainën, gjatë një vizite vetëm dy javë përpara zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së që po ngjallin pasiguri mbi të ardhmen e mbështetjes perëndimore për Ukrainën.

Udhëtimi i Sekretarit Austin u përqendrua në përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar Kievin të forcojë mbrojtjen e tij, ndërsa forcat ruse po fitojnë terren ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme në Ukrainën lindore.

Lloyd Austin e cilësoi luftën e Ukrainës kundër Rusisë si kritike për sigurinë e vetë Perëndimit, duke thënë se nëse ndërpritet mbështetja për Kievin, “hija e Putinit” do të binte mbi gjithë Evropën.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha në një deklaratë në platformën X se kishte folur me Sekretarin Austin për lehtësimin e kufizimeve për përdorimin e armëve të dërguara nga SHBA për të goditur objektivat në thellësi të territorit rus.

Kievi është përpjekur ta mbajë vëmendjen e Perëndimit tek lufta e tij përballë Rusisë, por aktualisht shqetësimet ndërkombëtare janë fokusuar konfliktin në Lindjen e Mesme.