Kina padit Bashkimin Evropian
Kina të mërkurën njoftoi se nuk do të pranojë tarifat shtesë të BE-së për makinat elektrike kineze dhe ka paraqitur një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Sipas AFP, një zëdhënës i Ministrisë Kineze të Tregtisë tha: Kina nuk është dakord me këtë vendim dhe nuk e pranon atë dhe ka paraqitur një ankesë në kuadër të mekanizmit të OBT-së të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Ky zëdhënës theksoi: Kina do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat legjitime të kompanive kineze. Gjithashtu, Dhoma e Tregtisë Kineze në Bashkimin Evropian në një deklaratë me një kërkesë për "ndalimin e këtyre tarifave" njoftoi: Na vjen keq dhe jemi të pakënaqur me këtë qëndrim dhe vendim të Bashkimit Evropian, i cili është i motivuar politikisht. Sipas standardeve të Bashkimit Evropian, për importin e makinave elektrike vendoset një tarifë prej 10%, por të martën Komisioni Evropian vendosi një tarifë tjetër prej 35%. Tarifa e importit do ta rritet deri në 45%. Tarifat shtesë u publikuan në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian dhe do të hyjnë në fuqi nga e mërkura. Komisioni Evropian njoftoi se vendosja e këtyre tarifave shtesë ishte e nevojshme për shkak të subvencioneve të padrejta të Kinës për prodhuesit e automjeteve elektrike, duke përfshirë ndihmën e dhënë për furnizimin e baterive dhe lëndëve të para. Komisioni tha se Kina do të prodhojë tre milionë makina elektrike shtesë, që është dyfishi i nevojave të tregut të BE-së. Gjithashtu, për shkak të tarifës 100% të Amerikës dhe Kanadasë për këto makina, Evropa po bëhet tregu më i rëndësishëm për këto makina elektrike.