Rusia nënshkruan traktatin e mbrojtjes reciproke me Korenë e Veriut
Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar në ligj partneritetin strategjik të vendit të tij me Korenë e Veriut, i cili përfshin një dispozitë të mbrojtjes reciproke, sipas një dekreti të publikuar sot.
Marrëveshja, e nënshkruar nga Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un në qershor pas një samiti në Phenian, u bën thirrje të dy vendeve që të nxitojnë në ndihmë të njëri-tjetrit në rast të një sulmi të armatosur.
Traktati konfirmon lidhje më të ngushta midis Moskës dhe Phenianit.
Sipas raporteve nga Koreja e Jugut dhe vendet perëndimore, Koreja e Veriut ka furnizuar me armë Rusisë. Ekspertët ukrainas thonë se kanë gjetur gjurmë të këtyre armëve në objektivat e sulmeve ruse.
Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së Ukrainës, Oleksandr Syrskiy, ka thënë se trupat koreanoveriore janë duke u përgatitur për të luftuar përkrah ushtrisë ruse.
“Kemi marrë raportime të shumta se ushtarët e Koresë së Veriut janë duke u përgatitur për të marrë pjesë në operacione ushtarake përkrah forcave ruse”, shkroi Syrskyi në Facebook.
Agjencia e inteligjencës e Koresë së Jugut dhe më pas autoritetet amerikane thanë se 3.000 trupa koreanoveriore kishin mbërritur në bazat stërvitore ruse në fillim të tetorit, dhe deri në 12.000 ushtarë koreanoveriorë mund të dërgohen përfundimisht në konfliktin në Ukrainë.
Megjithatë, ende ka dyshime rreth aftësive luftarake të forcave koreanoveriore dhe se çfarë ndikimi do të ketë prania e tyre në fushën e betejës.