Blinken në Evropë për bisedime rreth Ukrainës përpara kthimit të Trump
Kryediplomati i administratës në largim të presidentit amerikan Joe Biden, Antony Blinken, ka mbërritur në Bruksel të martën për bisedime me aleatët evropianë të shqetësuar se presidenti i sapozgjedhur Donald Trump mund të braktisë Ukrainën në luftën e saj me Rusinë.
Në udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit që nga fitorja e zgjedhjeve nga Trump më 5 nëntor, Sekretari i Shtetit, Blinken do të ndalet në Bruksel përpara vizitave të planifikuara në Peru dhe Brazil.
"Në takimet me zyrtarët e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, Blinken do të diskutojë mbështetjen për Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër agresionit të Rusisë”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit, pa elaboruar se çfarë mesazhi do të japë.
Përveç sigurimit të miliarda dollarëve në ndihmë ushtarake për Ukrainën, Joe Biden punoi për të zgjeruar NATO-n dhe mblodhi vendet në mbarë botën “për të izoluar Rusinë” pas fillimit të agresionit në shkallë të plotë të Moskës në vitin 2022.
Trump ka qenë kritik për ndihmën e presidentit Biden për Ukrainën, duke nxitur shqetësimin për të ardhmen e mbështetjes amerikane për qeverinë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky nën një Shtëpi të Bardhë, Senat dhe ndoshta Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët.
Ndërkohë, të mërkurën, Donald Trump do të takohet edhe me Presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë. Ky do të jetë takimi i tyre i parë zyrtar që kur Trump fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 dhe në këtë takim do të diskutohet edhe çështja e ndihmës së SHBA-së për Ukrainën në përballjen e saj me Rusinë.