Zelensky: Me Trumpin në pushtet, lufta do të përfundojë më shpejtë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se me Donald Trumpin në krye të Shtëpisë së Bardhë, lufta e Ukrainës me Rusinë do të përfundojë më shpejtë.
Ai nuk sqaroi nëse Trumpi kishte bërë ndonjë kërkesë në lidhje me bisedimet e mundshme me Rusinë, por tha se nuk kishte dëgjuar asgjë nga presidenti i zgjedhur që të ishte në kundërshtim me qëndrimin e Ukrainës.
Trump është shprehur vazhdimisht se prioriteti i tij është t’i japë fund konfliktit dhe të ndalojë atë që e quan “shterim të burimeve amerikane, në formën e ndihmës ushtarake për Ukrainën”.
"Është e sigurtë se lufta do të përfundojë më shpejtë me politikat e ekipit që tani do të udhëheqë Shtëpinë e Bardhë. Kjo është qasja e tyre, premtimi i tyre ndaj qytetarëve të vendit të vet”, u shpreh Zelensky në një intervistë për median ukrainase Suspilne.
Ukraina duhet të bëjë gjithçka që kjo luftë të përfundojë vitin e ardhshëm, të përfundojë me mjete diplomatike”, u shpreh ai, ndërsa pranoi se situata në fushën e betejës është e vështirë, me forcat ruse që bëjnë përparime.