Senati Amerikan kundërshton ndalimin e shitjeve të armëve për regjimin sionist
Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, Senati Amerikan kundërshtoi rezolutat për ndalimin e shitjes së disa llojeve të armatimeve për regjimin sionist, rezolutë e cila u prezantua për shkak të shqetësimeve për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe shtimin e vrasjeve të civilëve palestinezë.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, duke cituar agjencinë e lajmeve Reuters, 18 senatorë ranë dakord me rezolutën për ndalimin e shitjes së predhave të tankeve për regjimin sionist dhe 79 senatorë të tjerë e kundërshtuan atë.
Senati Amerikan kundërshtoi gjithashtu një rezolutë tjetër që bën thirrje për t'i dhënë fund shitjes së predhave të mortajave në Izrael. Kjo rezolutë u refuzua me 78 vota kundër dhe 19 vota pro.
Rezoluta e tretë lidhet me ndalimin e shitjes së sistemeve orientuese nëpërmjet Sistemit të Pozicionimit Global (GPS) për përdorim në bomba, e cila do të votohet brenda pak orësh.
Këto tre rezoluta, të njohura si "rezolutat e mosmiratimit", u prezantuan nga Bernie Sanders, një senator i pavarur nga shteti federal Vermont dhe disa senatorë demokratë.
Mbështetja e dy partive, partisë republikane dhe asaj demokratike për regjimin sionist e kishte bërë të pamundur miratimin e këtyre rezolutave, por mbështetja e disa senatorëve demokratë kishin krijuar shpresën se Izraeli dhe administrata e presidentit amerikan Joe Biden do të detyrohen të marrin masa për të mbrojtur civilët palestinezë.