Fillojnë diskutimet mbi dërgimin e trupave franceze dhe britanike në Ukrainë
(last modified Mon, 25 Nov 2024 18:46:28 GMT )
Nëntor 25, 2024 19:46 Europe/Tirane
  • Fillojnë diskutimet mbi dërgimin e trupave franceze dhe britanike në Ukrainë

Diskutimet për vendosjen e trupave perëndimore dhe kontraktorëve privatë të mbrojtjes në Ukrainë, kanë rifilluar në Evropë pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet amerikane.

Debati është i ndjeshëm dhe i klasifikuar, por sipas të përditshmes franceze Le Monde, çështja e vendosjes së trupave tokësore në Ukrainë është vendosur sërish në agjendën e liderëve evropianë.

Le Monde raporton se kjo temë është diskutuar më 11 nëntor gjatë vizitës së kryeministrit britanik Keir Starmer në Francë. U theksua se as Londra dhe as Parisi, nuk e përjashtojnë mundësinë e udhëheqjes së një koalicioni për të mbështetur Ukrainën.

“Diskutimet janë duke u zhvilluar midis Britanisë së Madhe dhe Francës për bashkëpunimin në mbrojtje, duke përfshirë krijimin e një grupi kryesor të aleatëve evropianë të fokusuar në Ukrainë dhe sigurinë më të gjerë evropiane”, tha një burim ushtarak britanik për Le Monde.

Gjenerali holandez Rob Bauer, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, deklaroi se nëse udhëheqësit perëndimorë nuk do të kufizoheshin nga rreziku i përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia, ata do të kishin vendosur tashmë trupat e tyre për të ndihmuar Ukrainën në luftë.