Reagimet ndërkombëtare për marrëveshjen e armëpushimit mes Libanit dhe regjimit sionist
https://parstoday.ir/sq/news/world-i165196-reagimet_ndërkombëtare_për_marrëveshjen_e_armëpushimit_mes_libanit_dhe_regjimit_sionist
Marrëveshja e armëpushimit mes Libanit dhe regjimit sionist u shoqërua me reagime ndërkombëtare.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Nëntor 27, 2024 09:59 Europe/Tirane
  • Reagimet ndërkombëtare për marrëveshjen e armëpushimit mes Libanit dhe regjimit sionist

Marrëveshja e armëpushimit mes Libanit dhe regjimit sionist u shoqërua me reagime ndërkombëtare.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e mirëpriti marrëveshjen e armëpushimit midis Libanit dhe regjimit sionist duke e cilësuar atë "një lajm shumë inkurajues" dhe shkroi në rrjetin social X (ish-Twitter): "Që tani e tutje, Libani do të ketë një mundësi për të rritur stabilitetin dhe sigurinë e brendshme."

Naxhib Mikati, kryeministri i qeverisë së përkohshme të Libanit, deklaroi gjithashtu: "Ne kërkojmë zbatimin e menjëhershëm të armëpushimit dhe vendosjen e paqes në rajon. Ne nuk e pranojmë cenimin e sovranitetit të Libanit."

Ndërsa përshëndeti armëpushimin ndërmjet Izraelit dhe Libanit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u kërkoi palëve që të respektojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre në këtë marrëveshje dhe ta zbatojnë atë sa më shpejt.

Më herët, edhe kreu i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, duke iu drejtuar regjimit sionist, tha se "nuk ka justifikim për kundërshtimin dhe se duhet t'i japë fund konfliktit".

Gjithashtu, kryeministri britanik Keir Starmer, duke reaguar për armëpushimin mes regjimit sionist dhe Hezbollahut të Libanit, tha se "kjo marrëveshje duhet të kthehet në një zgjidhje politike të qëndrueshme".

Gjithashtu, presidenti francez Emmanuel Macron, të mërkurën, në një video-mesazh në rrjetin social X, tha se marrëveshja e armëpushimit midis Libanit dhe regjimit izraelit duhet të hapë rrugën për përfundimin e luftës në Rripin e Gazës dhe t'u japë fund vuajtjeve të rënda të popullit të Gazës.

Të mërkurën në mëngjes, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e quajti marrëveshjen e armëpushimit midis Libanit dhe regjimit sionist "një fije shprese për të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme".

Ajo shtoi: "Qindra mijëra njerëz në Liban tani mund të marrin frymë të qetë, po ashtu edhe dhjetëra mijëra njerëz në Izrael, më në fund, mund të kthehen në shtëpitë e tyre."