Zelensky i gatshëm t'i falë territore Rusisë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i165286-zelensky_i_gatshëm_t'i_falë_territore_rusisë
Për herë të parë, presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, ka thënë se është i gatshëm t’i lëshojë territore Rusisë për t’i dhënë fund luftës.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 30, 2024 16:09 Europe/Tirane
  • Zelensky i gatshëm t'i falë territore Rusisë

Për herë të parë, presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, ka thënë se është i gatshëm t’i lëshojë territore Rusisë për t’i dhënë fund luftës.

Presidenti ukrainas tha se vendi i tij mund të heqë dorë përkohësisht nga territori i pushtuar nga Rusia në këmbim që territori që e kontrollon Ukraina të futet në “ombrellën e NATO-s”. Ai shtoi se Kievi më vonë mund të negociojë “diplomatikisht” kthimin e territorit në lindje që është aktualisht nën kontrollin rus, pasi të jetë rënë dakord për armëpushim.

“Nëse duam të ndalim fazën e nxehtë të luftës, duhet ta fusim nën ombrellën e NATO-s territorin e Ukrainës që kemi nën kontrollin tonë”, ka thënë Zelensky në një intervistë për Sky News.

Në këtë kuadër, ministri i Jashtëm i Ukrainës Andrii Sybiha ka nxitur homologët e tij në NATO për t’i bërë ftesë vendit të tij për anëtarësim në aleancën ushtarake perëndimore gjatë takimit të javës së ardhshme në Bruksel.

Diplomatët e NATO-s thonë se nuk ka konsensus nga vendet anëtare të aleancës për ta ftuar Ukrainën në këtë fazë. Për një vendim të tillë duhet pajtueshmëria e të gjitha 32 shteteve anëtare të NATO-s. Por Ministri Sybiha argumentoi në letër se kjo është koha e duhur për ta bërë ftesën për t’i treguar Presidentit rus Vladimir Putin se njëri prej synimeve kryesore të tij –parandalimi i anëtarësimit të Kievit në NATO – nuk do të mund të përmbushet.