Rutte: NATO duhet të fokusohet në ndihmën ushtarake për Ukrainën
Aleatët e NATO-s duhet të përqendrohen më shumë në ofrimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, në mënyrë që ajo të mund të ndalojë përparimin e ngadaltë por të qëndrueshëm të Rusisë sesa të diskutojë se si mund të duket një marrëveshje e mundshme paqeje, tha të martën shefi i NATO-s, Mark Rutte.
Ministrat e Jashtëm të 32 vendeve anëtare të aleancës ushtarake janë mbledhur në Bruksel për një samit dyditor me Ukrainën në krye të agjendës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u tha gazetarëve në një konferencë për shtyp disa orë përpara fillimit të samitit, se “gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjmë tani” është të sigurohemi që “Ukraina, sa herë që vendos të hyjë në bisedimet e paqes, do ta bëjë këtë nga pozita e forcës”.
“Ukraina nuk ka nevojë për më shumë ide se si mund të duket një proces paqeje. Dhe kjo është ajo që ne do të fokusohemi shumë në dy ditët e ardhshme, si të dërgojmë më shumë ndihmë ushtarake në Ukrainë, më shumë mbrojtje raketore në Ukrainë, koordinim më të mirë të gjithçka që po bëjmë”, shtoi ai.
Takimi do të jetë i fundit ku do të marrë pjesë Sekretari i Shtetit, Antony Blinken pasi administrata e re amerikane, e drejtuar nga Donald Trump, do të marrë përsipër më 20 janar.
Presidenti i zgjedhur republikan ka pohuar se mund të ndalojë luftën brenda disa ditësh pas marrjes së detyrës, duke shkaktuar frikë se Uashingtoni mund të shkurtojë mbështetjen e tij për Kievin dhe të imponojë lëshime të dhimbshme territoriale si pjesë e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.