Trump për luftën në Siri: Nuk është lufta jonë!
Ndërsa militantët e armatosur po i afrohen Damaskut nga veriu dhe jugu, pasi kanë hyrë edhe në qytetin kyç të Homsit, presidenti zgjedhur amerikan Donald Trump bëri reagimin e parë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk duhet “të përfshihen” në situatën e krijuar në Siri.
“Shtetet e Bashkuara nuk duhet të bëjnë asgjë. Kjo nuk është lufta jona. Mos u përfshini”.
“Luftëtarët e opozitës në Siri, në një lëvizje të paprecedentë, kanë pushtuar totalisht qytete të shumta, në një ofensivë shumë të koordinuar, dhe tani janë në periferi të Damaskut, padyshim që përgatiten të bëjnë një lëvizje shumë të madhe drejt rrëzimit të Assadit”, shkroi Trump.
Arsyeja pse Trump ngriti çështjen e një roli në Siri, mund të jetë një mesazh për Presidentin Joe Biden që të shmangë çdo përfshirje të SHBA-së në konfliktin sirian përpara se t’i dorëzojë pushtetin më 20 janar 2025.