Rusia godet me raketa dhe dronë Kievin
Rusia nisi një sulm ajror në Ukrainë të martën, duke goditur kryeqytetin e saj dhe rajone të tjera me raketa dhe dronë.
Forcat ajrore të Ukrainës raportuan një kërcënim për sulm me raketa balistike në orën tre të mëngjesit, me të paktën dy shpërthime të dëgjuara në Kiev disa minuta më vonë. Një tjetër alarm për sulm me raketa u lëshua në orën 8:00 të mëngjesit, që u pasua me të paktën një shpërthim në qytet.
Autoritetet në rajonin verilindor të Sumit raportuan sulme pranë qytetit Shostka, ku kryetari i bashkisë, Mykola Noha, tha se 12 ndërtesa banimi ishin dëmtuar si dhe dy objekte arsimore.
Forcat ajrore raportuan për sulme të tjera me raketa dhe dronë që kishin në shënjestër disa rajone të tjera të Ukrainës.
Në Moskë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj goditën me sukses një bazë ajrore ukrainase dhe një fabrikë baruti.
Rreth gjysma e infrastrukturës energjetike të Ukrainës është shkatërruar gjatë luftës dhe ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike janë të zakonshme dhe të përhapura.