BE-ja gati për tarifa të mundshme amerikane
Vetëm disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara vendosën tarifa ndaj mallrave nga Kanadaja, Kina dhe Meksika, Bashkimi Evropian mund të jetë në radhë.
Duke folur më 2 shkurt, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se BE-ja “nuk merr veturat tona, ata nuk marrin produktet e fermave tona, ata nuk marrin pothuajse asgjë dhe ne marrim gjithçka nga ta”, duke lënë të kuptohet se tarifat ndaj bllokut evropian mund të jenë të pashmangshme.
Për shumë zyrtarë në Bruksel, çështja ka të bëjë se kur do të vendosen tarifat dhe jo nëse do të vendosen. Zyrtarët e BE-së mendojnë se tarifat amerikane mund të vendosen më së afërmi në mars, teksa presidenti amerikan ka vendosur prillin si afat për agjencitë amerikane që të hetojnë “praktikat e padrejta”.
Siç tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, më 3 shkurt: “Ajo që po qesh në këtë rast është Kina”.
Tregtia dhe investimet mes BE-së dhe SHBA-së përbëjnë 42 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm global. Vitin e kaluar, dërgesat dypalëshe tregtare arritën në vlerë prej 1.6 trilion eurosh, dhe Brukseli e Uashingtoni kanë më shumë se 5 trilionë euro të investuara në ekonomitë e tyre përkatëse.
Nëse vendosen tarifa, BE-ja do të përgjigjet dhe Komisioni Evropian ka punuar në gjetjen e shënjestrave potenciale.