Vendet baltike shkëputen nga rrjeti energjetik rus
Tri shtetet e Baltikut më 8 shkurt shkëputen nga rrjeti i energjisë elektrike të Rusisë dhe i bashkohen rrjetit të Bashkimit Evropian.
Ky është kulmimi i një procesi disavjeçar që fitoi urgjencë pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 2022.
Estonia, Letonia dhe Lituania – që dikur ishin republika sovjetike dhe tani janë anëtare të BE-së dhe NATO-s – duan që të bllokojnë aftësinë e Rusisë për shantazh gjeopolitik përmes sistemit të energjisë elektrike.
“Ne kemi hequr çdo mundësi teorike të Rusisë për të përdorur kontrollin e rrjetit energjetik si armë”, tha ministri lituanez i Energjisë, Zygimantas Vaiciunas, për AFP-në.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas – ish-kryeministre e Estonisë – të premten e cilësoi shkëputjen e shteteve të Baltikut nga rrjeti rus si “fitore për lirinë dhe unitetin evropian”.
Pas shkëputjes, shtetet e Baltikut tani po operojnë me “metodën e izolimit”, para se të integrohen me rrjetin evropian të dielën.
Në tri shtetet e Baltikut do të organizohen festime zyrtare për shkëputjen nga rrjeti rus.
Baltiku për një kohë të gjatë është përgatitur për t’u integruar në rrjetin evropian, por ishte përballur me probleme teknologjike dhe financiare.