Bashkimi Evropian kërkesë Serbisë: “Mos forconi lidhjet me Rusinë”
Bashkimi Evropian e ka përsëritur thirrjen ndaj Serbisë – si vend kandidat për anëtarësim – që të përshtatë qëndrimin e saj në politikën e jashtme me atë të BE- së, dhe t’i evitojë hapat që janë në kundërshtim me këto qëndrime.
Sipas diplomatëve të BE-së, kjo kërkesë vlen sidomos lidhur me qëndrimet ndaj Rusisë, kundër së cilës BE-ja vazhdojë të vendosë sanksione për shkak të luftës së nisur në Ukrainë, ndërkohë që Serbia vazhdon të kultivojë raporte miqësore me Rusinë.
Një zëdhënës i BE-së, duke iu referuar vizitës së fundit të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, në Moskë, dhe takimit të tij me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov, ka thënë se BE-ja ka marrë hapa për ta izoluar Rusinë, i ka ulur në minimum kontaktet, dhe po përgatit edhe një paketë të re sanksionesh, andaj pret që Serbia si vend kandidat të mos ndërmarrë hapa kundër kësaj politike të Bashkimit Evropian.
“Serbia, si vend kandidat, duhet t’i shtojë përpjekjet për t’u përshtatur me politikën e jashtme të BE-së si çështje me shumë prioritet. Prandaj duhet të përmbahet nga veprimet apo deklaratat të cilat shkojnë kundër qëndrimeve të BE-së në politikën e jashtme“, ka thënë një zëdhënës i BE-së.