Si do të luajnë Moska dhe Pekini me Trumpin?
Pars Today - Një media amerikane shkroi: “Ëndrra e presidentit amerikan Donald Trump për të zbatuar "artin e marrëveshjes" në marrëdhëniet e tij me Kinën dhe Rusinë po bëhet një mjet në duart e Vladimir Putin dhe Xi Jinping për të çuar përpara interesat e tyre dhe për të dobësuar Amerikën”.
Sipas agjencisë së lajmeve Pars Today, gazeta amerikane "The Hill", në një artikull, duke iu referuar besimit të tepërt të presidentit amerikan Donald Trump në aftësitë e tij negociuese, shtoi se Moska dhe Pekini do të përdorin vetëpëlqimin e verbër të Trumpit për interesin e tyre dhe do të luajnë me të.
Gazeta "The Hill" shkroi se “Trump justifikon rritjen dramatike të tarifave duke pretenduar se partnerët ekonomikë dhe aleatët e Amerikës janë "të pangopur dhe oportunistë",” dhe, së fundmi, gjatë shpalljes së Ditës së Lirisë Ekonomike, ai tha: “Për të qenë i sinqertë, shpesh miqtë kanë qenë shumë më të këqinj se armiqtë”.
Gjithashtu, më herët, Trump kishte thënë: “Bashkimi Evropian u krijua për të zhvatur Amerikën”.
Ndërkohë, përgjegjësinë për këtë situatë Trump ia ka lënë jo qeverive të huaja, por qeverive të mëparshme amerikane, duke u mburrur me aftësitë e tij negociuese dhe duke thënë se “duke adoptuar qëndrime ekstreme në fillim të negociatave, nxjerr jashtë ekuilibrit palën tjetër, në mënyrë që në fund, ajo të jetë e kënaqur me më pak lëshime”.
Sipas "The Hill", standardet e dyfishta të presidentit Trump në politikën e jashtme nuk janë në asnjë çështje më të dukshme sesa në trajtimin që ai i bën çështjes së Ukrainës. Pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u dorëzua para një marrëveshjeje jo të plotë me Amerikën, Trump i ndryshoi kushtet e saj në mënyrë të njëanshme dhe i bëri ato më të vështira, sikur të kishte për qëllim të ndëshkonte presidentitn Zelensky për kundërshtimin e tij fillestar.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin vazhdoi të luante me naivitetin e Trumpit duke njoftuar se ai e mirëpriti armëpushimin "në parim", me kusht që detajet e tij të përpunoheshin në një datë të ardhshme të pacaktuar. Ndërsa avanconte planin e negociatave, Kremlini vazhdoi të pushtonte gradualisht territore të reja në Ukrainë, duke shtuar në të njëjtën kohë kushte të reja në listën e kushteve për negociata.
Dhe, në fund, qeveria ruse dërgoi në Uashington një portret tallës të Trumpit, të porositur nga vetë ai, për ta tallur atë dhe për të lavdëruar "artin e tij të negocimit".
Pekini po kërkon të përfitojë nga narcisizmi i Trumpit
"The Hill" shkruan më tej se “kjo lojë ka tërhequr padyshim vëmendjen e presidentit kinez Xi Jinping; personi që, sipas këtij raporti, së shpejti do të ketë mundësinë të testojë "shtyllën kurrizore gjeopolitike të Trumpit".”
Sipas kësaj mediaje amerikane, “presidenti kinez synon që fillimisht t'i bëjë lajka Trumpit dhe ta bëjë atë t'i besojë këto lajka si një gjest miqësor, më pas, në hapin tjetër, zyrtarët ushtarakë kinezë do të kërcënojnë se janë gati për një luftë bërthamore me Amerikën dhe në fund, Xi Jinping do të njoftojë se ai dhe "miku i tij amerikan" mund të parandalojnë, përmes negociatave, që të ndodhë një fatkeqësi e tillë”.