Cilët janë viktimat më të shumta të sanksioneve?
https://parstoday.ir/sq/news/world-i172770-cilët_janë_viktimat_më_të_shumta_të_sanksioneve
Pars Today - Uebsajti "Al-Jazeera English", në një artikull trajtoi krimet e Amerikës dhe të Evropës në vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve të tjera dhe vdekjen e miliona njerëzve si rezultat i tyre.
(last modified 2025-09-09T15:26:26+00:00 )
Shtator 06, 2025 10:02 Europe/Tirane
  • Cilët janë viktimat më të shumta të sanksioneve?
    Cilët janë viktimat më të shumta të sanksioneve?

Pars Today - Uebsajti "Al-Jazeera English", në një artikull trajtoi krimet e Amerikës dhe të Evropës në vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve të tjera dhe vdekjen e miliona njerëzve si rezultat i tyre.

Uebsajti "Al-Jazeera English", në një artikull publikuar së fundmi nga Jason Hickel, Dylan Sullivan dhe Omer Tayyab, shkroi: “Shtetet e Bashkuara (të Amerikës) dhe Evropa kanë përdorur sanksione të njëanshme për vite me radhë si një mjet për të ushtruar pushtet imperialist; një mjet për të ndëshkuar dhe madje për të shkatërruar qeveritë në Jugun Global, të cilat duan të çlirohen nga dominimi perëndimor, të ndjekin një rrugë të pavarur dhe të krijojnë një lloj sovraniteti të vërtetë për veten e tyre.”

Sipas Pars Today, në vitet 1970, çdo vit, mesatarisht rreth 15 vende ishin nën sanksione të njëanshme perëndimore. Këto sanksione zakonisht ishin të dizajnuara për të ndërprerë aksesin e vendeve në financat dhe tregtinë globale, për të destabilizuar industritë dhe për të krijuar kriza që përfundimisht mund të çonin në rrëzimin e qeverive.

Një shembull i qartë është rasti i presidentit Salvador Allende në Kili. Ai erdhi në pushtet me votë popullore në vitin 1970 dhe u shënjestrua menjëherë nga sanksione të ashpra amerikane. Ish-presidenti amerikan, Richard Nixon, në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, në shtator të atij viti tha: “Duhet ta bëjmë ekonominë [kiliane] të bërtasë”.

Historiani amerikan, Peter Kornbluh, i quan këto sanksione një “bllokadë të padukshme” që e shkëputi Kilin nga burimet financiare ndërkombëtare, krijoi kriza sociale dhe hapi rrugën për grushtin e shtetit të mbështetur nga Amerika, grusht shteti i cili solli në pushtet diktaturën brutale të Augusto Pinochet.

Që atëherë, përdorimi i sanksioneve është rritur në mënyrë dramatike. Në vitet 1990 dhe 2000, mesatarisht çdo vit, rreth 30 vende u nënshtroheshin sanksioneve të njëanshme perëndimore. Tani, në vitet 2020, ky numër është rritur në më shumë se 60 vende, një pjesë e madhe e Jugut Global.

Qëllimi kryesor i sanksioneve

Sanksionet kanë një kosto të rëndë njerëzore. Hulumtimet e kanë vërtetuar vazhdimisht këtë çështje. Për shembull, me fitoren e Revolucionit Islamik në Iran në vitin 1979 dhe kontrollin e popullit mbi burimet e veta, interesat amerikane u vunë në rrezik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu përgjigjën kësaj disfate duke vendosur sanksione, të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Këto sanksione mbulojnë fusha të ndryshme, duke përfshirë naftën, gazin, tregtinë, financat, bankat, shkencën, teknologjinë, infrastrukturën e komunikimit, infrastrukturën bërthamore, si dhe transportin detar dhe atë ajror.

Sanksionet e SHBA-së ndaj Irakut në vitet 1990 shkaktuan kequshqyerje të përhapur, mungesë të ujit të pijshëm të shëndetshëm dhe mungesë të ilaçeve dhe energjisë elektrike. Në vitet e fundit, lufta ekonomike e SHBA-së ndaj Venezuelës ka shkaktuar një krizë të madhe ekonomike. Një studim vlerëson se vetëm në vitet 2017-2018 sanksionet vranë 40,000 njerëz.

Më herët, hulumtimet kanë qenë kryesisht rastësore dhe kanë treguar vetëm një pjesë të së vërtetës, por këtë vit një studim i ri në "The Lancet Global Health", i udhëhequr nga ekonomisti Francisco Rodriguez i Universitetit të Denverit, llogariti numrin total të vdekjeve të shkaktuara nga sanksionet ndërkombëtare nga viti 1970 deri në vitin 2021.

Sipas vlerësimit fillestar, sanksionet e njëanshme të SHBA-së dhe BE-së janë lidhur drejtpërdrejt me 38 milionë vdekje që nga viti 1970. Në disa vite, veçanërisht në vitet 1990, më shumë se një milion njerëz vdiqën në një vit të vetëm. Në vitin 2021, sanksionet morën më shumë se 800,000 jetë njerëzish.

Këto shifra tregojnë se numri i viktimave të sanksioneve në çdo vit është shumë herë më i lartë se numri i viktimave të drejtpërdrejta të luftërave (që mesatarisht janë rreth 100,000 në vit). Më shumë se gjysma e viktimave janë fëmijë e të moshuar. Studimi tregon gjithashtu se sanksionet kanë vrarë më shumë se një milion fëmijë vetëm që nga viti 2012.

Uria dhe privimi nuk janë një pasojë e padëshiruar e sanksioneve, por qëllimi i tyre kryesor. Kjo bëhet e qartë në një memo të Departamentit Amerikan të Shtetit në prilli të vitit 1960. Në atë dokument shpjegoheshin sanksionet e SHBA-së kundër Kubës, dhe se Fidel Castro dhe revolucioni i tij gëzonin popullaritet të gjerë. Më pas, theksohej se "duhet të përdoret çdo mjet i mundshëm për të dobësuar jetën ekonomike të Kubës", duke përfshirë "prerjen e burimeve financiare dhe të mallrave, uljen e pagave, shkaktimin e urisë dhe dëshpërimit dhe, në fund, rrëzimin e qeverisë".

 

Themelet e sanksioneve perëndimore

Sanksionet perëndimore bazohen në tre faktorë:

1. Kontrolli i tyre mbi monedhat rezervë të botës (dollari dhe euroja)

2. Kontrolli mbi sistemet ndërkombëtare të pagesave (SWIFT),

3. Monopoli mbi teknologjitë jetike (siç janë satelitët, cloud computing dhe software-t).

Nëse vendet e Jugut Global duan të ndjekin një rrugë më të pavarur drejt një bote shumëpolare, ato duhet të zvogëlojnë varësinë e tyre në këto fusha dhe të bëhen më rezistente ndaj reagimeve dhe presioneve. Përvoja e Rusisë tregon se kjo është e mundur.

Vendet mund të fitojnë pavarësi më të madhe duke zgjeruar tregtinë midis tyre (Jug-Jug), duke vendosur linja këmbimi jashtë monedhave kryesore, duke përdorur planifikimin rajonal për të zhvilluar teknologji thelbësore dhe duke krijuar sisteme pagesash të pavarura nga Perëndimi. Disa vende tashmë kanë ndërmarrë hapa në këtë drejtim. Kina, gjithashtu, ka zhvilluar sisteme të reja si CIPS për pagesat ndërkombëtare, BeiDou për satelitët dhe Huawei për telekomunikacionin, duke ofruar mundësi të reja për Jugun Global, të cilat mund të jenë një rrugëdalje nga kurthi i sanksioneve.

Këto masa nuk janë vetëm të nevojshme që vendet të arrijnë zhvillim të pavarur, por nga ana morale gjithashtu, ato konsiderohen një domosdoshmëri. Ne nuk mund ta pranojmë një botë në të cilën gjysmë milioni njerëz vdesin çdo vit vetëm për të ruajtur dominimin perëndimor. Një rend i tillë, i ndërtuar mbi dhunën, duhet të shembet dhe të zëvendësohet nga një rend i ri, më human.