Aleanca BRICS kundër sëmundjeve pandemike globale
https://parstoday.ir/sq/news/world-i173660-aleanca_brics_kundër_sëmundjeve_pandemike_globale
Pars Today - Përballë kërcënimeve epidemiologjike, vendet anëtare të BRICS-it, përmes një bashkëpunimi të gjerë, kanë vendosur të zhvillojnë strategji, teknologji dhe vaksina për të luftuar sëmundjet pandemike.
(last modified 2025-10-18T18:47:27+00:00 )
Tetor 18, 2025 11:00 Europe/Tirane
  • Aleanca BRICS kundër sëmundjeve pandemike globale
    Aleanca BRICS kundër sëmundjeve pandemike globale

Pars Today - Përballë kërcënimeve epidemiologjike, vendet anëtare të BRICS-it, përmes një bashkëpunimi të gjerë, kanë vendosur të zhvillojnë strategji, teknologji dhe vaksina për të luftuar sëmundjet pandemike.

Në prill 2025, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi se shfaqja e një pandemie të re nuk ishte një mundësi, por një realitet i pashmangshëm. Ai theksoi se shtetet duhet të jenë të përgatitura që tani, sepse viruset nuk njohin kufij dhe mund të arrijnë në të gjithë botën brenda pak orësh.

Sipas Pars Today, duke cituar TV BRICS, përvoja e Covid-19 tregoi se asnjë vend nuk është në gjendje të përballet i vetëm me kriza të tilla. Ulja e produktivitetit, presioni mbi sistemin shëndetësor dhe rënia e ndjeshme e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) ishin ndër pasojat ekonomike të kësaj pandemie; deri në atë masë sa, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia globale u tkurr me 2.8% në vitin 2020.

Në Samitin e 17-të të BRICS-it në Rio de Janeiro, vendet anëtare theksuan nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar për të forcuar sigurinë shëndetësore globale. Ato bënë thirrje për solidaritet më të madh dhe krijimin e mekanizmave të përbashkët për t'u përballur me krizat shëndetësore.

Ideja e krijimit nga ana e BRICS-it të një Qendre Kërkimore dhe Zhvillimore për Vaksinat u propozua për herë të parë nga Afrika e Jugut në vitin 2018 dhe u bë realitet në vitin 2022. Qendra synon të shkëmbejë njohuri, të zhvillojë teknologji mjekësore dhe të sigurojë shpërndarje të barabartë të vaksinave midis vendeve anëtare.

“Sot, laboratorët nga pesë vendet themeluese të BRICS-it bashkëpunojnë në këtë qendër për të përmirësuar shëndetin global”, thotë Luisa Calvett Costa, një eksperte në diplomacinë shëndetësore.

Çdo vend i BRICS-it po zhvillon gjithashtu në mënyrë të pavarur zgjidhje për të luftuar sëmundjet:

- Kina dhe India po përdorin megadata-t (të dhëna të mëdha) dhe telemjekësinë.

- Brazili po përqendrohet në mbulimin universal shëndetësor.

- Afrika e Jugut po udhëheq në mbikëqyrjen gjenomike.

- Irani, gjithashtu, ka forcuar rrjetin e vet të shëndetit publik dhe ka përdorur ekzaminimin dixhital.

Vendet e BRICS-it kanë prodhuar tashmë disa vaksina për të luftuar COVID-19, duke përfshirë Sputnik V (Rusia), Covaxin (India), CoronaVac (Kina), ButanVac (Brazili) dhe vaksinat iraniane si COViran Barekat dhe Razi Cov Pars.

Porse ato nuk po shohin vetëm të tashmen. Projekte kërkimore janë gjithashtu në proces për të prodhuar vaksina të gjeneratës së ardhshme kundër sëmundjeve të tilla si tuberkulozi, ethet e virusit Dengue, gripi dhe HIV. India dhe Kina po zhvillojnë vaksina nazale mRNA, që e stërvisin trupin për të luftuar sëmundjen pa përdorur viruse të dobësuara.

Sipas ekspertëve, vendet e BRICS-it kanë kapacitete të pakrahasueshme për prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave. Vetëm India prodhon 60% të vaksinave në botë. Kina ka dërguar më shumë se 2.1 miliardë doza të vaksinës Covid në 120 vende. Rusia, Brazili dhe Afrika e Jugut janë gjithashtu liderë në virologji dhe inovacion farmaceutik.

Në vitet e fundit, në Etiopi dhe Rusi janë mbajtur trajnime të përbashkëta për reagim të shpejtë ndaj krizave shëndetësore. Specialistë nga dhjetëra vende janë mbledhur për t'u trajnuar në koordinimin praktik në situata emergjente.

Ekspertët paralajmërojnë se pandemia e ardhshme mund të shkaktohet nga një patogjen krejtësisht i panjohur. Prandaj, krijimi i sistemeve të përbashkëta për parashikim, monitorim dhe reagim të shpejtë do të garantojë jo vetëm sigurinë e vendeve të BRICS-it, por edhe shëndetin e të gjithë njerëzimit.