Një javë tensione në Bajern
Një shpërthim dhe disa sulme të dhunshme në rajonet e ndryshme në Gjermani në disa ditët e kaluara, e kanë përballë këtë vend me kushte të veçanta dhe me një krizë të madhe.
Burimet informative të dielën në mbrëmje kanë njoftuar për ndodhjen e një shpërthimit në qytetin Ansbach në jug të Gjermanisë. Një azilkërkues të cilit i ishte refuzuar kërkesa ka hedhur veten në erë duke plagosur edhe 12 persona të tjerë. Bombën, ai e kishte vendosur në një çantë shpine, ndërkohë që kishte dalë pranë vendit ku organizohej një festival në qytetin jugor gjerman të Ansbachut. Ministri i Brendshëm i Bavarisë tha se 27-vjeçari kishte aktivizuar pajisjen për t’u vetëvrarë pasi i ishte refuzuar hyrja në festivalin muzikor. Rreth 2.500 persona u evakuuan nga vendngjarja pas shpërthimit. Bavaria ndodhet në gjendje alarmante dhe ankthi që prej tentativës së një terroristi për të vrarë me thikë disa persona në një tren, një sulm i marrë përsipër nga grupi terrorist ISIS, gjatë së hënës së kaluar. Shpërthimi në Ansbach raportohet të ketë ndodhur rreth orës 22:10 të mbrëmjes jashtë lokalit “Eugens Weinstube” në qendër të qytetit. Ansbachu është shtëpi e rreth 40 mijë banorëve, por në të gjendet edhe një bazë ushtarake amerikane.