Deklarata e Europolit mbi sigurinë
(last modified Tue, 26 Jul 2016 19:15:04 GMT )
Korrik 26, 2016 21:15 Europe/Tirane

Europol në raportin e saj vjetor paralajmëron se grupet terroriste janë të gatshme të sulmojnë Evropën në çdo kohë.

“Sulmi terrorist mbetet kërcënimi kryesor për sigurinë kombëtare të vendeve anëtare të BE-së”, ka thanë kryetari i qendrës anti-terror të Europol Manuel Navarrete Paniagua, në raportin vjetor të policisë evropiane. “Të gjitha të dhënat tregojnë se, ISIS ose grupet terroriste të frymëzuara nga ISIS apo ndonjë grup tjetër terrorist, janë përgatitur që të kryejnë përsëri sulme në Evropë, veçanërisht në Francë, me qëllim që të shkaktojnë pasoja të rënda dhe me shumë viktima në radhët e popullatës civile. Europol paralajmëron se, grupet terroriste kanë nryshuar taktikat dhe tani operojnë në nivel global. Përveç kampeve për trajnim në Siri, ka edhe kampe të vogla në BE dhe vendet e Ballkanit, thuhet në raport e Europol për çështjet e sigurisë. Kohët e fundit në shumë vende evropiane janë vënë re shumë akte kriminale. Rasti më i fundit është ai në Suedi ku policia rrethoi zonën përreth një qendre tregtare në Malmo të Suedisë, ku një burrë u plagos pasditen e sotme. Një tjetër ngjarje është se ISIS ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit të ekzekutuar në një kishë në veri të Francës duke deklaruar se akti është kryer nga dy persona që i kishin premtuar besnikëri organizatës terroriste. Dy individë ende të paidentifikuar morën peng pesë persona në një kishë, e më pas ekzekutuan një prej tyre. Viktima ka qenë prifti i Kishës, 84-vjecari  Zhak Hamel, i cili është vrarë përmes prerjes së fytit. Ndërkohë, zyrtarët komunikojnë se një tjetër person po qëndron në spital dhe është në rrezik për jetën. Agresorët u qëlluan për vdekje nga forcat e sigurisë menjëherë pasi tentuan të largohen nga vendi i ngjarjes. Mundësia që pas ngjarjes të qëndronte ISIS u paralajmërua më herët edhe nga presidenti i Francës, Fransua Hollande, i cili udhëtoi menjëherë drejt zonës ku ndodhi tragjedia. Ndërkohë, prokuroria nga ana tjetër tha zyrtarisht se hetimi i çështjes i është ngarkuar njësisë anti- terroriste pranë këtij institucioni. Sulmi u dënua menjëherë nga Kryeministri Manuel Valls, ndaj të cilit ka pasur kritika të shumta për shkak të punës së dobët të forcave të sigurisë. Ky agresion vjen menjëherë pas tragjedisë së Nices ku u vranë më shumë se 80 persona. Ndërsa pas tragjedisë se Mynihut, në Gjermani janë shtuar zërat që kërkojnë masa parandaluese. Kultura e dhunës zhvillohet në rastet kur parandalimi nuk ekziston thonë ekspertë të çështjeve të sigurisë. E një rëndësie kyçe, sipas tyre, mbetet rritja e sensibilizimit të shoqërisë ndaj të rinjve në gjendje krize. “Duhet t’i bëjmë vetes pyetjen, se si është e mundur që njerëzit radikalizohen për shkak të krizave psikologjike, kërkimit të kuptimit të jetës apo kur janë nën ndikimin e dhunës, deri në atë pikë sa të jenë të aftë për veprime të tilla”, shprehen ekspertët duke përmendur vrasjen e 9 personave të premten. Kategoria e konsideruar si më e prekura nga ky rrezik është ajo e rinisë, së cilës i nevojitet më shumë integrimi në shoqëri. Kjo e fundit, vazhdojnë eskpertët, duhet të jetë në të njëjtën kohë e përgatitur për të reaguar ndaj dhunës dhe terrorit, ndërsa lipset të bëhet dallimi mes akteve të terrorit dhe atyre të amokut. Rreth katër milionë vetë në Gjermani vuajnë aktualisht nga depresioni dhe janë nën trajtim, por nuk ka të dhëna se këta persona kryejnë akte dhune më shpesh se të tjerët.

Tags