Fjalimet e Papës në tubimin e të rinjve katolikë
Papa Françesku sot e ka mbajtur Meshën e së Dielës, ku ishin të pranishëm më se 2.5 milionë besimtarë katolikë, në të ashtuquajturën, Fushë e Mëshirës, afër qytetit Krakov në Poloni.
Kjo fushë ishte mbushur gjatë natës nga qindra mijëra të rinj, priftërinj dhe familje të tëra, për të marrë pjesë në meshën përfundimtare të festivalit, Dita Botërore e Rinisë, që ka zgjatur një javë. Papa Françesku i tha turmës së njerëzve se ata do të duhej të ishin ëndërrimtarë që besojnë në një botë “që e refuzon urrejtjen ndërmjet njerëzve” dhe “refuzon të shohë kufij dhe barriera”. Tutje, Papa Françesk ka theksuar se “njëherë e përgjithmonë, ne duhet të kuptojmë se asgjë nuk e arsyeton derdhjen e gjakut të vëllait ose motrës; se asgjë nuk është më i çmueshëm se personi afër nesh”. Më herët, gjatë vizitës në kampin nazist të vdekjes në Aushvic, Papa Françesk ka tërhequr vërejtjen se mizoria që ka ndodhur atje “nuk përfundon” me Luftën e Dytë Botërore. Sipas tij, “bota është në luftë”, por mënyra për “ta kapërcyer frikën” është që të mirëpriten njerëzit që largohen nga konfliktet dhe shtypja. Ky ishte një mesazh i fuqishëm në Poloni, autoritetet e së cilës aktualisht kanë një qëndrim të fortë kundër migrantëve. Për shkak të rrezikut nga terrori, Dita botërore e Rinisë sivjet zhvillohet nën masa të rrepta sigurie. Më shumë se 30 mijë forca të policisë, zjarrfikës, truproja kufitare dhe shërbime sekrete janë mobilizuar në vend, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme polake. Papa Françesku, lideri i katolikëve të botës, të shtunën në qytetin Krakov në jug të Polonisë ka shprehur keqardhje për valën shkatërruese të terrorizmit dhe luftës në botë. Papa Françesku në ditën e katër të vizitës së tij në Poloni, me rastin e ditës botërore të të rinjve ka vizituar kishën Francis Acizi në qytetin Krakov dhe në këtë qytet është lutur për vendosjen e paqes në botë. Papa me këtë rast deklaroi se duhet ushtruar ndikim mbi zemrën e terroristëve që të kuptojnë veprimet e tyre të këqija dhe të ndjekin rrugën e paqes dhe mirësisë, të respektojnë jetën dhe pozitën e çdo njeriu pa marrë parasysh fenë, origjinën, pasurinë ose varfërinë e njerëzve. Papa në fjalimin e tij para qindra mijëra njerëzve kërkoi që bota të mos mbetet pasive dhe indiferente ndaj vuajtjeve të njerëzve. Asgjë dhe asnjë vendi botës nuk mund të arsyetojë derdhjen e gjakut të një njeriu,- tha Papa ndër të tjera. Më herët, pas apelit të drejtuar udhëheqësve të vendit, Françesku u kërkoi edhe të rinjve polakë të tregojnë dhembshuri për të ardhurit. “Një zemër e mëshirshme, - u tha ai mijëra vetëve të mbledhur për ceremonitë liturgjike në Krakov, - hapet për t’i uruar mirëseardhjen refugjatëve dhe emigrantëve, e mund të kthehet në shtëpi për njerëzit e detyruar të emigrojnë”. Të enjten, Ati i Shenjtë e kremtoi meshën në vendin më të shenjtë katolik të Polonise, Manastirin Jasna Gora, ku pa dhe ikonën e njohur si “Madona e zezë”, një relike e adhuruar prej 6 shekujsh.