Përpjekje e re për ruajtjen e Bashkimit Europian
Udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Italisë do të takohen sot në Itali për të diskutuar se si ta ruajnë projektin e Bashkimit Europian.
Ky është raundi i dytë i bisedimeve mes udhëheqësve të tre ekonomive më të mëdha të grupit, që pas rezultatit shokues të referendumit të Britanisë për largimin nga blloku. Kryeministri italian Matteo Renzi është organizatori i takimit në ishullin Ventotene , ku do të marrin pjesë kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Francois Hollande. Takimi do të zhvillohet në një ishull pranë Napolit dhe ai i paraprin një takim të muajit shtator të BE-së për të diskutuar mbi pasojat e votimit të Britanisë për t’u larguar nga grupi. Burime diplomatike franceze u kujdesën të sqaronin paraprakisht se qëllimi i takimit është të dëshmohet uniteti i tre vendeve më të mëdha të Europës e jo të krijohet një klub i veçantë. Bisedimet do t’i shërbejnë përgatitjes së samitit joformal të Bratisllavës, ku pritet të përvijohet kursi post-Brexit i bllokut europian. Renzi nuk e përzgjodhi rastësisht Ventotenen për shtrëngimin e duarve me dy liderët kryesorë të Bashkimit Europian. Ishulli, sipas qeverisë italiane, ka pjesën e tij në themelimin e BE-së. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, aty u burgosën dy intelektualë italianë, Ernesto Rossi dhe Altiero Spinelli, të cilët shkruan manifestin Ventotene, ku bëhej thirrje për një federatë të shteteve europiane. Zyrtarët në Bruksel druhen se referendumi i 23 qershorit në Britani mund të çojë në një referendum të ngjashëm në Holandë, një nga vendet themeluese të BE-së, lidhur me largimin nga blloku. “Takimi i së hënës synon t’i tregojë botës unitetin e tre ekonomive më të mëdha të Europës, pa krijuar një grupim në veçantë dhe përgatitjet për takimin e Bratislavës”, citohet një burim diplomatik francez. Analistët thonë se përballë rrezikut të ekzistencës kancelarja gjermane Merkel kërkon të forcojë BE-në ekzistuese dhe jo zgjerimin me anëtarë të rinj. Zoti Renzi kërkon të Italia të ketë një rol më të rëndësishëm në mënyrën e funksionimi të BE-së në të ardhmen, pas largimit të Britanisë, ndërsa zoti Hollande kërkon dyfishimin e planit të investimeve të BE-së. Jehona e referendumit britanik vazhdon të mbetet e fortë, e tani zyrtarët e Brukselit druhen se ai mund të pasohet nga një votë e ngjashme popullore për largimin nga blloku në njërin prej vendeve themeluese të tij, Holanda. Analistët mendojnë se përballë rrezikut të ekzistencës, kancelarja gjermane Merkel synon forcimin e BE-së në formën aktuale e jo zgjerimin me anëtarë të rinj. Renzi pretendon që Italia të ketë një rol më të rëndësishëm në mënyrën e funksionimit të bllokut në të ardhmen, ndërsa Hollande kërkon dyfishimin e planit të investimeve të BE-së.