Testi raketor i Phen Yanit irriton BE-në
''Testi raketor i Koresë së Veriut përbën shkelje të angazhimeve të këtij vendi dhe injorim të rezolutave të KS të OKB''-deklaroi sot Bashkimi Europian duke paralajmëruar se të tilla veprime do të tensionojnë edhe më shumë situatën në Gadishullin Korean e më gjerë.
Në komunikatën e Brukselit thuhet: ''Paqja dhe stabiliteti në rajon kërkon që të hiqet dorë nga çdo veprim provokativ dhe të fillohen menjëherë bisedimet gjashtëpalëshe për 'çtensionimin e situatës në Gadishullin Korean.'' Pavarësisht paralajmërimeve për shtim të sanksioneve, Koreja e Veriut ka vijuar me programet e saj të prodhimit të armëve, teksa kësaj rradhe ka testuar një raketë balistike, e cila u lançua përmes një nëndetëseje dhe ra në detin e Japonisë. Shërbimet inteligjente koreanojugore kanë raportuar se raketa ka përshkuar afro 500 kilometër. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe, i cili nënvizoi se ky është thjesht një tjetër akt i papërgjegjshëm i urdhëruar nga Peniani. Raketat balistike të cilat lançohen nga nëndetëset janë mjaft të rrezikshme, pasi shpeshherë është mjaft e vështirë që të dallohen nga radarët dhe të neutralizohen nga sistemet mbrojtëse. Testimi i radhës nga Koreja e Veriut vjen në një kohë kur ushtritë e Shteteve të Bashkuara dhe të Koresë së Jugut po kryejnë një manovër të përbashkët ushtarake dhe konsiderohet si kundërpërgjigje nga Phen Yani.