Shtyhen përsëri sanksionet e BE kundër Rusisë
Janë shtyrë edhe për 6 muaj të tjerë sanksionet e BE kundër Rusisë për shkak të kontestit në Ukrainë.
BE ka shtyrë edhe për 6 muaj ndalimin e qarkullimit dhe konfiskimin e kapitaleve të 150 shtetasve rusë dhe 37 organeve ruse. Afati i sanksioneve aktuale kundër Rusisë përfundon më 15 shtator. Që nga marsi i vitit 2014, Bashkimi Evropian (BE), si reagim ndaj politikës ruse në krizën e Ukrainës, ka vendosur sanksione, të cilat i ka forcuar gradualisht. Kjo është bërë me pjesëmarrjen aktive të shumicës së vendeve anëtare të BE-së. Këto sanksione janë shndërruar në instrument të zakonshëm të politikës së jashtme të BE-së. Bashkimi Evropian i ka zgjatur deri në fund të verës tjetër sanksionet ndaj Rusisë, për shkak të kontestit në lindje të Ukrainës. Përveç kësaj, BE-ja e ka në plan të mos ndalet, por të ndërmarrë veprime tjera, që mund ta çonin Rusinë të heqë dorë dhe të zbatojë marrëveshjen për Ukrainën. Shefja për Politikë të Jashtme e BE-së, Federika Mogherini, ka thënë pas takimit të ministrave të jashtëm, se sanksionet të cilat ishin caktuar për një vit janë shtyrë edhe për disa muaj. Ne kemi dhënë shenja se BE-ja është e gatshme që të ndërmarrë masa të tjera, ka shtuar Mogherini. Shtyrja e afatit të sanksioneve është pranuar nga të gjitha 28 vendet anëtare. Nga ana e saj Moska ka kundërshtuar sanksionet e BE dhe të Amerikës dhe ka thënë se të tilla sanksione pengojnë dialogun Moskë-Uashington për zgjidhjen e problemeve në sektorë të ndryshëm.