BE do të mbijetojë edhe pa Britaninë
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, tha se e ardhmja e Bashkimit Europian nuk është “në rrezik”, megjithë vendimin e Britanisë për largim.
“Ne e respektojmë dhe në të njejtën kohë shprehim keqardhje për vendimin e Britanisë, por BE-ja si e tillë nuk është në rrezik”, tha sot Juncker, në fjalimin vjetor për gjendjen e BE-së para Parlamentit Evropian në Strasburg. Juncker tha se ai dëshiron që largimi i Britanisë të ndodhë shpejtë “në mënyrë që raportet e BE-së me Mbretërinë e Bashkuar, që duhet të mbesin në baza miqësore, të marrin një formë tjetër”. Por, ai ka tërhequr vërejtjen se nëse Britania dëshiron ta mbajë qasjen në tregun e përbashkët europian me 500 milionë konsumatorë, atëherë ajo, po ashtu, duhet t’i pranojë parimet themelore të BE-së për lëvizje të lirë të njerëzve. Ndër të tjera ai ka thënë se Bashkimi Europian ka nevojë për një seli ushtarake, për të pasur mundësi të punojë drejt një force të përbashkët ushtarake. Juncker tha se mungesa e një “strukture të përhershme” rezulton në shpërdorimin e parave në misione të shumta.