Omer Çelik kritikon ambasadën amerikane në Turqi
Ministri turk për çështjet e BE kritikoi deklaratën e ambasadës së SHBA në Turqi në lidhje me emërimin e krerëve të bashkive të 28 qyteteve të banuara kryesisht nga kurdët.
Omer Çelik deklaratën e ambasadës amerikane e konsideroi si një ndërhyrje në punët e brendshme të Turqisë dhe shtoi se asnjë qeveri në botë nuk mund të jetë indiferente përballë terrorizmit. Ai theksoi se për qeverinë e Ankarasë është e papranueshme që një bashki të vendosë mjetet dhe mundësitë e saj në shërbim të grupeve terroriste. Turqia emëroi administratorët e rinj në 24 bashki të drejtuara prej kurdëve gjatë së dielës, pasi shkarkoi kryebashkiakët e zgjedhur nga populli për shkak të dyshimeve për lidhje me militantët kurdë, duke shkaktuar kështu protesta në rajonin e saj të trazuar juglindor, në kufi me Sirinë dhe Irakun. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Turqi shprehu shqetësimin në lidhje me raportet mbi përplasje të reja në juglindje, por tha se ndërsa mbështet të drejtën e Turqisë për të luftuar terrorizmin, është po ashtu e rëndësishme të respektohet e drejta për protesta paqësore.