Merkel: BE është në një gjëndje kritike
https://parstoday.ir/sq/news/world-i28006-merkel_be_është_në_një_gjëndje_kritike
Duke folur nga Samiti i Bratislavës, ku liderët e vendeve anëtare të BE-së janë duke diskutuar për çështjet më të nxehta të momentit, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar se aktualisht unioni është në një gjendje kritike dhe se zgjidhja e problemeve nuk mund të vijë vetëm me një takim.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Shtator 16, 2016 12:25 Europe/Tirane
  • Merkel: BE është në një gjëndje kritike

Duke folur nga Samiti i Bratislavës, ku liderët e vendeve anëtare të BE-së janë duke diskutuar për çështjet më të nxehta të momentit, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar se aktualisht unioni është në një gjendje kritike dhe se zgjidhja e problemeve nuk mund të vijë vetëm me një takim.

Shefja e ekzekutivit gjerman listoi si disa prej problemeve kryesore sigurinë, luftën kundër terrorizmit, zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes si dhe menaxhimin e fluksit të azil-kërkuesve. Në mbyllje, Merkel tha se shpreson që në fund të samitit liderët të tregojnë vendosmëri për të qëndruar të bashkuar. “Mendoj se askush nuk duhet të presë që ne t’i zgjidhim problemet e Europës vetëm me një takim. Ne jemi në një gjendje kritike, ndaj duhet që të bashkëpunojmë në fusha me interesa të përbashkëta si siguria, lufta kundër terrorizmit, kooperimi në fushën e mbrojtjes, rritja ekonomike si dhe krijimi i vendeve të reja të punës. Shpresoj që të gjithë të shfaqim vullnet maksimal për të bashkëpunuar.” Më herët, Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, i bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve që t’i shohin problemet e bllokut në mënyrë të sinqertë, për t’i hapur rrugën hartimit të një strategjie për të ardhmen. Sipas tij është e rëndësishme që në këtë moment të ruhet uniteti. Për t’u theksuar është fakti se në këtë samit nuk do të marrë pjesë kryeministrja britanike, Theresa May, duke konfirmuar nisjen e rrugëtimit të daljes nga Bashkimi Europian. Aktualisht liderët janë duke diskutuar, ndërkohë që Presidenti i Komisionit, Zhan Klod Junker, ai i Këshillit Europian Donald Tusk si dhe kryeministri  i Slovakisë, Robert Fico, do të mbajnë një konferencë për mediat.