Takimi i Bratislavës, shumë dilema për BE-në
Liderët e 27 vendeve te Bashkimit Europian u mblodhën sot në Bratislavë pa Britaninë e Madhe për të diskutuar mbi ekonominë, krizën e emigrantëve, sigurinë dhe masat e përballjes me këto probleme.
Takimit i parapriu një deklaratë e Presidentit të Këshillit të Europës, Donald Tusk që kërkon një ‘vështrim më realist të 1001 problemeve që ka unioni”. “Bashkimi Europian duhet të bëjë një diagnozë reale mbi shkaqet që çuan në daljen e Britanisë së Madhe nga unioni dhe duhet të sigurojmë qytetarët tanë se kemi nxjerrë mësim nga ky vendim i britanikëve”, tha Tusk. Ai bëri thirrje për më shumë unitet në adresimin e sfidave që po përballet sot BE, vendet e së cilës janë të përçara për masat për përballimin e fluksit të emigrantëve, sigurinë e kufijve dhe rigjallërimin e ekonomisë. Samiti zhvillohet në Sllovaki, një prej vendeve të bllokut të qendrës dhe lindjes së Europës që kundërshton politikën e dyerve të hapura të Angela Merkel për refugjatët. Kjo e fundit deklaroi se situata e Europës është kritike dhe nuk mund të zgjidhet me një samit. Me këtë deklaratë të saj, kancelarja gjermane Angela Merkeli i uli disi pritshmëritë e larta nga takimi i vështirë i Bratislavës, ku liderët e BE-së synojnë gjetjen e mundësive për të ecur përpara pas votës britanike të shkëputjes nga blloku europian. “Çështja nuk është të pritet zgjidhja e të gjitha problemeve të Europës nga një samit i tillë. Ne jemi në një gjendje kritike, por duhet treguar me vepra se mund t’i përmirësojmë gjërat në fushën e sigurisë, asaj të brendshme e të jashtme, në luftën kundër terrorizmit dhe në drejtim të bashkëpunimit për mbrojtjen. Shpresoj që Bratislava të tregojë se ne duam të punojmë së bashku dhe se duam t’i zgjidhim problemet e Europës”, deklaroi kancelarja Merkel. Që do të nevojitet punë për daljen nga kjo situatë, kjo u lexua mes rreshtash edhe në deklaratën e Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, i cili u bëri thirrje krerëve të BE-se që të shohin problemet e bllokut në një mënyrë “sa më të kthjellët e të ndershme”. Në samitin e Bratislavës nuk është parashikuar të diskutohen negociatat e shkëputjes me Britaninë. Qëllimi i tij është të shohë drejt së ardhmes si një grup 27 anëtarësh. Si prioritete të axhendës së Bratislavës renditen siguria dhe kapacitetet e mbrojtjes. Pikërisht në këtë fushë pritet dhe konkretimi i idesë së një unioni me një shtab të përbashkët mbrojtjeje. Ministri i Jashtëm italian, Paolo Gentiloni e ka mbështetur më parë një strategji të përbashkët qe konsiderohej një lloj "Shengeni të mbrojtjes". Për herë të parë në një samit do të flitet për një plan konkret për ngritjen e një force të përbashkët europiane, detyra kryesore e së cilës do të jetë ruajtja e kufijve të jashtëm të BE-së. Propozimi, që u njoftua tërthorazi edhe nga Jean-Claude Juncker ditën e mërkurë, mbështetet fuqimisht nga Gjermania dhe Franca. Juncker kërkoi të mërkurën ngritjen e një shtabi të përbashkët ushtarak europian dhe forcim të bashkëpunimit në këtë fushë mes vendeve të BE-së. Përparësi do të ketë gjithashtu edhe e ardhmja sociale dhe ekonomike e Europës si edhe shkëmbimi kulturor në BE.