Protesta anti-qeveritare në Greqi
Sindikata e punëtorëve në Greqi ka organizuar një protestë masive në Athinë duke dënuar ashpër politikën e kursimit ekonomik të ndjekur nga qeveria majtiste greke.
Me kërkesë të huadhënësve ndërkombëtarë, që prej 7 vitesh qeveria greke ka zbatuar masat e kursimit ekonomik. Deri tani të paktën 1,3 milionë punëtorë grekë kanë humbur vendet e punës, ndërsa rritja e taksave dhe kufizimet e tjera buxhetore kanë rënduar gjendjen e popullit grek. Grekët i detyrohen shtetit të tyre aktualisht rreth 87 miliardë euro taksa të papaguara. Kohët e fundit ka sidomos mjaft punonjës civilë që kanë kërkuar dalje të parakohshme në pension për t'u shpëtuar kështu shkurtimeve të planifikuara të pensioneve në kuadrin e reformave të qeverisë Tsipras. Deri tani janë paraqitur rreth 40.000 kërkesa të tilla dhe deri në fund të vitit numri mund të shkojë deri në 80.000. Qeveria greke ka rënë dakord në negociatat me kreditorët për një lloj klauzole mbrojtëse për pensionet ekzistuese dhe shkurtimet e pensioneve do të hyjnë në fuqi vitet e ardhshme. Niveli i taksave të papaguara në Greqi përbën një rekord evropian: grekët sipas raportit kanë paguar nga 100 euro detyrime tatimesh vetëm 45 euro - një vlerë kjo e cila që nga fillimi i krizës në vitin 2010 po bie në mënyrë të vazhdushme, edhe pse shumë taksa janë rritur. 87 miliardë euro korrespondojnë me rreth gjysmën e prodhimit aktual të ekonomisë greke. Por përmasat e detyrimeve tatimore kanë shkaqe të tjera sepse rrethi vicioz i mosshlyerjes së detyrimeve tatimore nuk lidhet vetëm me evazionin fiskal. Edhe autoritetet tatimore greke vazhdojnë të jenë joefikase në mbledhjen e taksave. Gjithashtu, shumë njerëz thjesht nuk kanë më para për të paguar detyrimet e tyre tatimore. Padyshim që rritja e taksave rëndon më shumë mbi supet e punëtorëve grekë, të cilët jo vetëm që kanë humbur sigurinë për vendin e punës, por janë përballur me ulje pagash dhe rritje tatimesh. Aktualisht, katër muaj pasi është mbyllur vlerësimi i parë për programin antikrizë, Greqia ka filluar negociatat me kreditorët për fazën e dytë, në mënyrë që të zhbllokohet kësti i radhës prej 2.8 mld euro. Në qendër të negociatave midis 15 kushteve kryesore që duhet të plotësojë Athina janë Fondi i privatizimeve dhe të ardhurat që ai duhet të sigurojë, si dhe lufta kundër korrupsionit. Në këtë kuadër qeveria Tsipras ka deklaruar se prej 1 tetorit do të fillojë të zbatojë deklarimin e detyrueshëm elektronik të ndryshimeve në pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme për politikanët, gjithë nëpunësit e shtetit, të zgjedhurit e pushtetit vendor, pronarët e mediave dhe gazetarët. Ndërsa në vitin 2017 të gjithë qytetarët që jetojnë në mënyrë të ligjshme në Greqi, do të duhet të deklarojnë çdo gjë që kanë në emër të tyre si prona apo para, si dhe burimin e të ardhurave. Negociatat e Greqisë me kreditorët zhvillohen në një klimë jo edhe aq pozitive për kryeministrin Tsipras, pas fjalimit të tij fundjavën e shkuar në Selanik dhe sidomos samitit që ai organizoi në Athinë me vendet europiane të Mesdheut. Kësaj klime negative i shtohen edhe protestat e sindikatave të punëtorëve, të cilat kanë deklaruar se do të vazhdojnë protestat kundër politikave ekonomike të qeverisë së kryeministrit Tsipras. Këto protesta pritet të zgjerohen dhe të pasohen me greva pasi edhe sindikata të tjera kanë deklaruar gatishmërinë për t'iu bashkuar protestës së Sindikatës së punëtorëve grekë.