Ushtria ruse hedh poshtë pretendimet e sekretarit të DASH
Një funksionar i lartë i ushtrisë së Rusisë deklaroi se ndryshe nga sa pretendon sekretari amerikan i Shtetit, Amerika dhe grupet terroriste të përkrahura nga ajo nuk e kanë respektuar aspak armëpushimin në Siri.
Sergej Rudskoj, drejtor i Zyrës operative të Shtabit të forcave të armatosura të Rusisë, hodhi poshtë pretendimin e Uashingtonit se ushtria siriane ka shkelur armëpushimin dhe shtoi se pretendimet e John Kerryt janë krejtësisht të pabaza. Gjeneral Rudskoj tha se gjatë një jave, avionët rusë dhe sirianë nuk kanë kryer asnjë sulm në rajonet e kontrolluara nga grupet e armatosura opozitare. Edhe përsa i përket pretendimit të Uashingtonit se sulmi ajror amerikan kundër ushtrisë siriane në Deirul Zur ka qenë "një gabim", ky funksionar rus theksoi se një pretendim i tillë është i papranueshëm, sepse forcat amerikane kanë qenë të informuara për pozicionet e ushtrisë siriane dhe të ISIS në provincën Deirul Zur. Në këtë sulm avionët amerikanë vranë 62 ushtarë siriane dhe plagosën mbi 120 të tjerë.