Dilema e zgjedhjeve presidenciale në SHBA
(last modified Wed, 21 Sep 2016 20:10:16 GMT )
Shtator 21, 2016 22:10 Europe/Tirane
  • Dilema e zgjedhjeve presidenciale në SHBA

Kur kanë ngelur rreth 50 ditë deri në ditën finale të zgjedhjeve presidenciale, Donald Trump është në disavantazh të plotë përballë rivales Hillary Clinton , të paktën kështu thotë një studim i revistës “Politico”.

Sipas saj, miliarderi ka një mungesë të theksuar organizimi në fushatë. Hillary Clinton, shkruan “Politico”, ka investuar 7 herë më shumë para sesa Trump për reklama elektorale, si edhe ka krijuar dy herë më shumë terren në shumë prej shteteve të cilat edhe japin verdiktin përfundimtar se kush fiton presidencën. Ndërkohë që miliarderi njujorkez , i cili sprovohet në politikë për herë të parë, ia ka besuar fushatën e tij disa këshilltarëve dhe organizatorëve të cilët e kanë për herë të parë të testohen në beteja presidenciale. “Jemi në ujëra krejtësisht të panjohura për ne”, tha David Koshel , operativ republikan në Ajoa. Këtu ngrihet pyetja -thotë “Politico” - nëse është mungesa e infrastukturës së Trump dhe buxheti i pakët ato që kanë ndikuar duke çuar në një situatë të tillë. Madje disa kohë më parë mediat amerikane raportuan gjatë se fushata e miliarderit është e zhytur në borxhe të mëdha, të cilat Trump ka premtuar t’i shlyejë kur të marrë presidencën. Por ky i fundit kërkon të fitojë në Ohajo ku votimi fillon herët në 12 tetor, ndërkohë që atje Clinton ka rreth 250 organizatorë dhe 50 zyra, ndërsa Trump numëron afërsisht 110 pjesëtarë stafi dhe 30 zyra. Epërsia dhe mënyra e organizimit të fushatës së Clinton ndihet edhe në disa bastione republikane si në Arizona. Por pavarësisht se tabloja shfaqet në disfavor të Trumpit sa i përket fushatës elektorale, këshilltarët e tij këmbëngulin se kohët e fundit kanë bërë përparime të mëdha.  Disa muaj më parë, miliarderi e ndërroi stafin, ndër të cilët edhe këshilltari personal Paul Manafort, ndërsa të tjerë u tërhoqën se thoshin që nuk ishin paguar. Ndërkohë, pesë ditë përpara debatit të parë kyç mes kandidatëve për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump po përdor incidentet e kohëve të fundit për t’i kthyer në argument, sa i takon dy çështjeve ku ai mendon se qëndrimi i ashpër ofron përparësi: emigracioni dhe terrorizmi.Sulmi fundjavës në Nju Jork, edhe pse nuk vrau njeri, e riktheu në mënyrë të pashmangshme frikën e terrorizmit në qendër të betejës së Trumpit me Hillary Clintonin.Nga këndvështrimi i republikanit, hijet e reja të terrorit luajnë rol të drejtpërdrejtë në vizionin e një kombi nën rrethim. “Nuk mund ta lejojmë këtë të keqe të triumfojë”, tha miliarderi në Florida, pas kapjes së amerikanit me origjinë afgane, që dyshohet si vendosësi i bombave.“Nëse zgjidhni Donald Trumpin, - vazhdoi manjati, - këto probleme do të zhduken”.Por as rivalja e tij demokrate nuk ka qëndruar në heshtje pas sulmeve. Clinton i ka hyrë manovrave, duke e portretizuar veten si një lloj komandanteje tradicionale të Forcave të Armatosura, të hekurt e që ruan qetësinë në kohë krizash.“Unë di ta bëj shumë mirë këtë punë”, tha ish-kryediplomatja në një konferencë për shtyp. Incidentet në Nju Jork erdhën në një kohë tepër të ngarkuar, kur qindra udhëheqës botërorë dhe figura të larta janë mbledhur aty për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Nga ana tjetër, videoja e pak ditëve më parë ku Hillary Clinton humbiste ndjenjat bëri xhiron e botës dhe shumë ngritën dyshime nëse ajo është në gjendje të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë. Por sikur të mos mjaftonte kjo, një tjetër episod jo shumë i këndshëm ka ndodhur dje. Mediat amerikane shkruajnë se Clinton mund të ketë ende probleme. Shkak për këto hamendësime ishte një event i djeshëm, ku politikanët rrallë heqin dorë. Bëhej fjalë për një takim për mbledhje fondesh. Ishte organizuar një dreke me biznesmenë dhe njerëz të rëndësishëm, ku pjata për një person kushtonte 100 mijë dollarë. Por çuditërisht Clinton e ka anuluar pa dhënë asnjë shpjegim.Probleme shëndetësore sërish, apo tjetër arsye? Stafi i saj nuk ka reaguar ende zyrtarisht.

 

Tags